Arbëri

Bela pyet Zekën si e bleu fondacioni yt ndërtesën e Vilajetit të Kosovës në Shkup?

Valon Bela sot ka goditur ashpër Zeqirja Ibrahimin e BËSËS, njëherit edhe kandidat për kryetar komune në Çair.

Bela ngre dyshime se si fonacion FOCIC me dy anëtarë ka blerë ndërtesën e vilajetit të Kosovës me miliona euro?, përcjell TetovaSot.

“Në kushte dhe rrethana të një shteti normal dhe demokratik, Zeqirja Ibrahimi, deputet nga L. Besa do duhej të ishte nën hetime, le më të kandidojë për Çairin.

Si arriti që Fondacioni FOCIC i përbërë nga vetëm 2 anëtarë të blej ndërtesën e vilajetit të Kosovës (përballë kalasë në Shkup) me miliona euro. Përse donacioni nga shteti i Katarit u alokua në blerje të pronës?

Pa hetimin deri në zbardhjen e atij rasti, s’do duhej t’i lejohet z. Ibrahimi të garojë në zgjedhjet e 15 Tetorit.

Por këtu është Maqedoni, ku folklori për luftimin e krimit dhe korrupsionit është imperativ dhe zbatimi mbetet një dëshirë e kahmotshme” ka shkruar Bela.

Siç përflitet Zeqirja Ibrahimi erdhi pas grindjes mes dy grupeve në degën e Çairit për kryetar komune, ku grupi i Kastriot Rexhepit kishte përplasje me grupin e Bekim Saliut ku Zeka erdhi si dorë e zgjatur e VMRO-së për të kandiduar për të parin e Çairit.

Ndryshe me 15 tetor, në Çair pritet të përballen Visar Ganiu i BDI-së, Zeqirja Ibrahimi i BESËS dhe dy kandidatët tjerë ai i ASH-së dhe i PDSH-së.

Vlen të theksohet se në këto zgjedhje LSDM nuk do të nxjerr kandidat në Çair ku që në raundin e parë thuhet se do të përkrahin kandidatin e BDI-së, ndërsa VMRO do të përkrah kandidatin e BESËS.