Arbëri

Sot hidhet shorti për renditjen e partive politike në zgjedhjet lokale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), organizon sot tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim për Zgjedhjet Lokale të cilat do të mbahen më 22 tetor.

Kështu është bërë e ditur në njoftimin për media nga zyra për informim e këtij institucioni.

“Ju njoftoj se nesër Komisioni Qendror i Zgjedhjeve organizon tërheqjen e shortit për renditjen e Subjekteve Politike në fletëvotim për Zgjedhjet Lokale të cilat do të mbahen më 22 tetor 2017”, thuhet në njoftim.

Gjithsej janë 91 subjekte të cilat do të garojnë në zgjedhjet lokale ndërkohë tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim do të bëhet të hënën.

“Në afatin e paraparë është përmbyllur periudha e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Gjatë kësaj periudhe kemi pranuar 11 mijë e 813 aplikacione për regjistrim dhe se shumica prej tyre kanë ardhur përmes ndonjërës nga tri email adresat e shërbimit votues. Prej tyre janë aprovuar 10 mijë e 475 aplikacione, kurse janë refuzuar 1 mijë e 338 të tjera”, ka thënë Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, raporton transmetuesi publik.

Një fazë tjetër e procesit zgjedhor është edhe mundësia për të ndërruar Qendrën e Votimit vetëm brenda të njëjtës komunë. Kjo periudhë do të përmbyllet me datë 12 shtator.

“Në mes të muajit shtator pritet të Certifikohet Lista Përfundimtare e Votuesve për këto zgjedhje. Pra, do ta dimë saktë se sa është numri i votuesve. Tani për tani kemi të dhënat e Listës Preliminare / Jo Përfundimtare të Votuesve e cila përmban 1 milion e 900 mijë e 669 emra të votuesve, me një rritje prej 15 mijë votues në krahasim me Zgjedhjet Parlamentare të 11 qershorit”, shtoi Elezi.

Në mesin e 91 subjekteve garuese janë 35 Parti Politike; 1 Koalicion; 30 Iniciativa Qytetare; dhe 25 Kandidatë të Pavarur (për Kryetar Komune apo për Kuvende Komunale, në komuna të ndryshme).