Arbëri

Haradinaj i bën thirrje opozitës të jetë e pa kompromis

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka bërë thirrje opozitës që të jetë e pakompromis në rolin e tyre, duke shtuar se ata janë ndihmesë për qeverisje.

Qeveria Haradinaj, është zgjedhur me 61 vota, ndërsa në anën tjetër do të përballet me një opozitë nga dy parti të mëdha të cilat kanë 58 deputetë.

“Opozita është ndihmesë për një shoqëri veçanërisht për vendet në tranzicion. Një situatë e tillë e përballjes do të jetë ndihmesë për qeverinë, pra na ndihmon që qeverisja vërtetë të përballet në vazhdimësi edhe me mendimin opozitar”, ka thënë Haradinaj në një intervistë për Zërin e Amerikës.

“Unë i bëjë thirrje opozitës që të jetë e pa kompromis në rolin e tyre opozitar, njëkohësisht mediave, shoqërisë civile që të na përballin me përgjegjësitë që kemi ose t’i reflektojnë pikëpamjet e tyre në vazhdimësi, pra e mirëpresim faktin që kemi një opozitë të fortë dhe kjo është në dobi për neve, për Kosovën”, ka shtuar ai.

I pyetur se partitë opozitare thonë se qeveria Haradinaj nuk do të mund të zgjasë mandatin më shumë se gjashtë muaj, Haradinaj ka thënë se e rëndësishme është që ata do të jenë në shërbim të qytetarëve, por se nuk është e rëndësishme sa do të zgjasë.

“Shikoni, është me rëndësi që një orë, një ditë, një muaj, gjashtë muaj sado që punojmë ne të jemi në shërbim të vendit, ajo është kryesorja e jo sa do të zgjasë një qeveri por a do të jetë në shërbim të qytetarëve apo të vendit. Unë besoj që do të kemi një mandat të plotë dhe do të punojmë që gjatë këtij mandati të plotë vërtetë të ndodh në Kosovë ajo që pritet prej nesh edhe prej meje në këtë rast se e di që pritjet janë të mëdha dhe jam i vetëdijshëm, mirëpo do të jem edhe serioz në punë”, ka thënë Haradinaj.