Arbëri

Supremja ende pa kryetar, Peci s’e merr miratimin e presidentit Thaçi

Një muaj kanë kaluar prej votimit të Enver Pecit për kryetar të ardhshëm të Gjykatës Supreme.

Po atë ditë, Këshilli Gjyqësor, përveç Pecit, votoi edhe kryetarin e Gjykatës së Apelit, Hasan Shalën, por ky i fundit, nuk pati nevojë për dekretim, raporton KTV.

E emri i Enver Pecit, tashmë një muaj, pret nënshkrimin e presidentit Hashim Thaçi, për të marrë detyrën e re.

Në Presidencë, nuk kanë dhënë ndonjë arsye për vonesën, por vetëm kanë thënë se dekretimi do të bëhet brenda afateve ligjore.

Sipas Ligjit për KGJK-në, neni 18, në rast se presidenti nuk e emëron kandidatin brenda 60 ditëve, duhet t’ia paraqesë këshillit arsyet e refuzimit.

KTV-ja kishte pyetur Zyrën e presidentit nëse vonesat kishin të bënin me reagimet nga ambasada e SHBA-së, ajo e Mbretërisë së Bashkuar dhe nga Zyra e BE-së në Kosovë, lidhur me procedurat e zgjedhjes dhe votimit të aplikuara nga KGJK-ja, por nuk ka marrë përgjigje.

Për njërën prej pikave që u kritikua, votimin e mbyllur, kryesuesi i KGJK-së, ka thënë se është një procedurë e zakonshme, dhe pavarësisht kritikave, këshilli nuk planifikon ta ndërrojë.

Këshilli u detyrua ta ndryshojë rregulloren për procedurat e zgjedhjes dhe emërimit të kryetarëve të Gjykatave, pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

Kryetar i fundit i Gjykatës Supreme ka qenë Fejzullah Hasani, e në rast dekretimi, Enver Peci, me mandat 7 vjeçar, do të qëndrojë në aty deri në vitin 2024.