Arbëri

Çitaku e pranon se ka rritje të të interesuarve për udhëtimin Prishtinë-Beograd

Drejtori i Stacionit të Autobusëve, Ylber Çitaku, ka pranuar për KTV-në se numri i qytetarëve të interesuar për udhëtim drejt Beogradit është në rritje.

“Tash e sa ditë kemi një fluks të qytetarëve që vijnë në orët e mbrëmjes me që kemi tri linja të rregullta Prishtinë-Beograd. Numri i qytetarëve të interesuar për udhëtim është në rritje. Por fluksi i madh është i kureshtarëve, njerëzve që përcjellin, që pyesin se si çka po ndodh, a ka mundësi udhëtimi apo jo, a ka mundësi kalimi apo jo. Këto informacione nuk i kemi, por sipas të gjitha gjasave ka agjencione dhe njerëz që kanë ngashënjyer të rinjtë për këto rrugëtime. Rinia me problemet që ka, kanë sigurisht interesim për të lëvizur, por siguri në këtë drejtim nuk kanë”, ka thënë ai për KTV-në.

Çitaku ka bërë të ditur se pak qytetarë po udhëtojnë drejt Beogradit nga Prishtina pasi që kjo linjë vjen nga Dragashi me autobusë të mbushur atje dhe me pak vend për shitje të biletave për nisje nga Prishtina.

Sipas drejtorit të Stacionit të Autobusëve ka qytetarë që po i kthejnë biletat e blera për udhëtim drejt Beogradit. Ai ka thënë se për një ditë kanë shitur 49 bileta, ndërsa 15 prej tyre janë kthyer nga vetë qytetarët.