Arbëri

Gjermania i dhuron laborator të gjuhës gjermane FSK-së

Zëvendësministri në detyrë i Ministrisë për Forcën e Sigurisë të Kosovës, Muhamet Latifi dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pritën dje në vizitë pune, zëvendësambasadorin e Gjermanisë në Republikën e Kosovës, Jan-Axel Voss.

Latifi e falënderoi ambasadorin Voss, për ndihmat e vazhdueshme që Gjermania po jep për Kosovën dhe në kuadër të saj edhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Latifi, përmes zv. ambasadorit Voss, falënderoi edhe Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat Ushtarake të Gjermanisë, të cilët po japin një kontribut të madh në profesionalizimin e FSK-së, përmes shkollimit, trajnimeve, pjesëmarrjes në ushtrime dhe seminare të pjesëtarëve të FSK-së dhe përmes donacioneve.

Gjithashtu, zëvendësministri dhe gjenerali Rama, me këtë rast e njoftuan zv.ambasadorin Voss, edhe me zhvillimet dhe të arriturat e përgjithshme të FSK-së.

Nga ana e tij, zëvendësambasadori gjerman premtoi se do të angazhohet për vazhdimin dhe thellimin e këtij bashkëpunimi të mirë, ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.

Pas takimit, në kazermën “Adem Jashari” u mbajt ceremonia e dorëzim-pranimit të laboratorit modern për mësimin e gjuhës gjermane për pjesëtarët e FSK-së.

Në takim ishin prezent edhe zëvendës komandanti i Komandës së Forcave Tokësore gjeneral brigade Gëzim Hazrolli, atasheu ushtarak i Gjermanisë në Kosovës, koloneli Martin Herrmann dhe këshilltari gjerman për Logjistikë në MFSK-së, nënkoloneli Michael Gierse.