Arbëri

Kosova e gatshme të kryesojë me SEECP

Zëvendës-ministri i Punëve të Jashtme në detyrë i Kosovës, Valon Murtezaj, është duke e përfaqësuar Kosovën në punimet e Forumit Strategjik të Bledit në Slloveni, takim ky ku po marrin pjesë Ministrat e Punëve të Jashtme të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) nën kryesimin e Sllovenisë.

Në fjalimin e tij drejtuar Forumit të Ministrave të Punëve të Jashtme të SEECP-së, Murtezaj ka diskutuar lidhur me perspektivën e bashkëpunimit rajonal si dhe ka theksuar rëndësinë që Republika e Kosovës po i jep këtij bashkëpunimi.

Në vijim të adresimit të tij, Murtezaj ka shprehur angazhimin dhe përkushtimin e Republikës së Kosovës për të qenë aktive në forumet rajonale dhe për të kontribuar në forcimin e bashkëpunimit rajonal; forcimit të paqes dhe rritjes së zhvillimit ekonomik, duke ripërsëritur kërkesën e Kosovës për të marrë kryesimin e kësaj organizate të rëndësishme rajonale.

Gjatë fjalimit të tij, ai ritheksoi përkushtimin që vendi ynë po e tregon në rrugën e integrimeve evropiane, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, përderisa ka përsëritur qëndrimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të vazhduar me politikat e fqinjësisë së mirë dhe qasjes paqësore ndaj çështjeve të përbashkëta.

Në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, përveç ministrave të vendeve anëtare, po marrin pjesë edhe Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Federica Mogherini, si dhe zyrtarë të tjerë vëzhgues nga Evropa dhe SHBA.