Arbëri

Simiq: Lista Serbe e hapur për bisedime, por me kushte

Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, ka komentuar nënshkrimin e marrëveshjes mes AKR-së dhe koalicionit PAN.

Simiq, në një deklaratë për “Tanjug”, ka thënë se Lista Serbe është ende e hapur për bisedime dhe përsëriti se përpara çdo marrëveshjeje do të konsultohet me Qeverinë e Serbisë dhe me Presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

“Po shkojmë kah zhbllokimi i institucioneve, gjë që është e mirë për qytetarët”, ka thënë Simiq.

“Qëndrimet tona janë të njohura. Jemi të hapur për bisedime me të gjithë, ndërsa ata që dëshirojnë të bisedojnë me Listën Serbe duhet të shfaqin respekt ndaj popullit serb dhe së bashku me ne të punojnë në përmirësimin e pozitës së të gjithë serbëve në Kosovë e Metohi. Neve nuk na duhen funksione për funksione por si instrumente për përmirësimin e pozitës së serbëve”, shtoi ai, transmeton Koha.net.

Simiq thotë se Lista Serbe ka 10 deputetë, rrjedhimisht është partia e katërt në Kuvendin e Kosovës dhe këtë fakt duhet ta respektojnë të gjithë.

“Është numër i lakmueshëm, dhe ju kujtoj se jemi partia e katërt për kah fuqia. Në anën tjetër, 90 për qind e qytetarëve serbë i kanë dhënë votën Listës Serbe në zgjedhjet parlamentare”, tha Simiq.