Arbëri

Seanca konstitutive, këtë javë

Descriptive Text

Koalicioni PAN nënshkroi marrëveshje me AKR-në e Behgjet Pacollit sot në orët e pasdites, pasi ky i fundit e shkëputi marrëveshjen për koalicion parazgjedhor që e kishte me LDK-në dhe Alternativën.

Kjo marrëveshje, që në vete përmban programin qeverisës dhe pika tjera, është nënshkruar nga katër partitë e mëdha të koalicionit PAN, PDK, AAK, Nisma dhe nga AKR, raporton Koha.net.

Në seancën e fundit konstitutive, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, kërkoi nga kryesuesi i Kuvendit, Adem Mikullovci që t’i jepet kohë koalicionit PAN edhe 2 javë që të provojnë të krijojnë institucionet e vendit.

E kur kanë mbetur edhe 3 ditë që ky afat i kërkuar të skadojë, duket se gjërat po ecin rrugës së krijimit të institucioneve.

Ndonëse ende nuk dihet saktë se kur do të mbahet kjo seancë, agjencia e lajmeve Reuters, duke u thirrur në burime të veta, ka thënë se seanca do të thirret këtë javë.

Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar mes PAN-it dhe AKR-së, partitë së bashku me pakicat, do të sigurojnë 63 ulëse në Kuvendin e Kosovës me 120 ulëse.

Reuters shkruan po ashtu se Presidenti Hashim Thaçi pritet t’i jap Haradinajt mandatin për të formuar Qeverinë brenda pak ditësh.

Partia e vogël, Aleanca Kosova e Re, shkruan Reuters, drejtohet nga Behgjet Pacolli, i cili cilësohet nga mediat si kosovari më i pasur. Pacolli, që posedon edhe pasaportë zvicerane, ka firuar shumë kontrata nga Qeveria ruse për të rindërtuar ndërtesa shtetërore në Moskë në vitet e ’90-ta, por një dekadë më parë, biznesin e tij e zhvendosi nga Moska në Kazakistan.