Arbëri

Veseli përmend Listën Rugova si partner në Qeveri

Descriptive Text

Ukë Rugova e Dardan Gashi mund të kthehen në qeveri. Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, nga villa e Behgjet Pacollit në Hajvali, ka përmendur në mesin e partnerëve në qeverinë e re edhe “Listën Rugova”.

Ani pse ky subjekt, i themeluar nga Ukë Rugova, nga ish-kryeministri në ekzil, Bujar Bukoshi, dhe nga ish-anëtarët e LDK-së, Astrit Haraqija e Dardan Gashi, kishte marrë pjesë në një palë zgjedhje si pjesë e listës së AAK-së, së Ramush Haradinajt.

Vetëm Ukë Rugova kishte arritur të bëhet deputet, por që la AAK-në për t’u bashkuar me PDK-në e AKR-në në koalicionin për Qeverinë Thaçi 2. Aty Bukoshi u bë zëvendëskryeministër e Dardan Gashi ministër i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor.

Në zgjedhjet e vitit 2014 Lista Rugova nuk kishte marrë pjesë në zgjedhje, teksa kishte thënë se përkrah LDK-në.

Gashi e Haraqija janë akuzuar nga LDK-ja si sekserë për të bindur Teuta Rugovën, që të votojë pro PAN-it. Kjo ishte arritur, kur deputetja më e re e Kuvendit të Kosovës, Teuta Rugova u rreshtua krah PAN-it në seancën e parë konstitutive të Kuvendit, më 3 gusht. 

Kujtojmë se ndaj Ukë Rugovës ka aktakuzë për keqpërdorim me viza italiane.