Arbëri

MPJ falënderon Greqinë për mbështetje në nismat rajonale dhe Organizatat Ndërkombëtare

Ushtruesi i Detyrës së Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Emanuel Demaj, ka pritur në një takim të rregullt, shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Prishtinë, Konstantina Athanassiadou.

Në kuadër të këtij takimi është diskutuar në përgjithësi mbi marrëdhëniet dy-palëshe në mes dy vendeve respektive si në nivelin politik, ashtu edhe atë ekonomik.

Duke i vlerësuar lartë marrëdhëniet politike në mes dy shteteve, Demaj ka folur edhe për mbështetjen konstruktive, që Greqia i ka dhënë në të kaluarën dhe po i jep edhe më tutje vendit tonë në lidhje me anëtarësimin në nismat rajonale dhe Organizatat Ndërkombëtare.

Në ndërkohë, në frymën e thellimit të bashkëpunimit dy-palësh ekonomik, është përmendur edhe vullneti i të dyja vendeve për vazhdimin e organizimit të Forumeve të tjera Ekonomike, që potencialisht do të rrisnin edhe më tej shkëmbimin tregtar dhe investimet në mes të dy vendeve.

Në takim është theksuar, gjithashtu, edhe përparësia që në mes të Republikës së Kosovës dhe Greqisë nuk ka asnjë çështje të hapur.