Arbëri

Ankesa për vendimin e Ministrisë së Arsimit që librat t’u ndahen vetëm nxënësve deri në klasën e gjashtë

Foto: Koha / ilustrim

Ministria e Arsimit ka vendosur që librat falas për këtë vit t’i sigurojë vetëm për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën, kurse nxënësit nga klasa e gjashtë deri në të nëntën, thuhet se do t’i shfrytëzojnë tekstet e gjeneratës paraprake.

Por, nga Këshilli i Prindërve si dhe vetë nxënësit, thonë se tekstet e shfrytëzuara nga gjeneratat paraprake nuk mund t’u hyjnë shumë në funksion, pasi që ato ose janë dëmtuar ose janë të papërdorshme, sidomos kur bëhet fjalë për fletoret e punës.

Arbëri është nxënës i klasës së tetë. Ai thotë se jo të gjitha librat që u shfrytëzuan për një vit, mund të jenë të përdorshme.

“Unë këtë gjë nuk e pres mirë. Pasi ne i dimë problemet që do të hasim në ato libra. Si për shembull, fletorja e punës është e plotësuar komplet, pasi të njëjtën gjë e kemi bërë edhe ne në klasën e shtatë. Pastaj, librat mund të jenë shumë të dëmtuara”, thotë Arbëri.

Të shqetësuar me vendimin e Ministrisë shprehen edhe në Këshillin e Prindërve të Kosovës. Sipas tyre, disa nga librat nuk mund të jenë funksionale duke marrë për bazë cilësinë e letrës së teksteve.

Bajram Beqiri, udhëheqës i këtij Këshilli, thotë për Radion Evropa e Lirë se shfrytëzimi i disa prej librave nga vitet paraprake, do të ndikojë në mënyrë negative te nxënësit. Ai, madje, dyshon se në librari mund të gjenden të gjitha tekstet shkollore.

“Ne edhe vitet e kaluara kemi pasur vërejtje te cilësia, e letrës dhe si të tilla nuk janë ruajtur mirë nga nxënësit dhe besoj se janë të dëmtuara dhe nuk i plotësojnë kriteret e mjaftueshme për t’u përdorur edhe për një vit”, thotë Beqiri.

Në anën tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit konsiderojnë se shfrytëzimi i librave nga gjeneratat paraprake nuk mund të paraqesë ndonjë vështirësi në procesin mësimor.

Mustafë Kadriu, drejtor i Departamentit Parauniversitar thotë për Radion Evropa e Lirë se komisioni i formuar nga Ministria për këtë çështje, ka vlerësuar se librat mund të përdoren.

“Një Komision që ka caktuar Ministria e Arsimit, ka vlerësuar se librat janë funksionale, pasi nxënësit janë të moshës ku mund të identifikojnë saktësinë edhe nëse ka pasur diçka të shkruar. Por, nxënësit nga klasa e parë deri të pestën, nuk mund të gjykojnë saktësinë e të dhënave në libra. Për këtë e kemi vendosur që niveli i ulët i arsimit të marrë librat falas”, shprehet Kadriu.

Por, ndryshe mendon nxënësi, me emrin Arbër i cili thotë se do të blejë librat për klasën e tetë, pasi nuk mund të mësojë në librat që tashmë ishin përdorur.

“Unë deri tash nuk i kam blerë librat, por kam dëgjuar nga shokët e mi që librat janë shumë shtrenjtë”, tregon Arbëri.

Në libraritë e Prishtinës, çmimet e teksteve shkollore nga klasa e gjashtë deri të nëntën sillen nga 1.5 deri në 2.5 euro për një libër. Por, ka edhe tekste më të shtrenjta, si Libri i muzikës apo Atlasi gjeografik që kushtojnë nga 3.5 deri në 8 euro.

Në Shtëpinë Botuese, “Libri Shkollor” thonë se në treg ka tekste të mjaftueshme. Bajram Shatri, drejtor i kësaj Shtëpie Botuese, thotë për Radion Evropa e Lirë se librat tashme janë në shitje dhe të korrigjuara.

“ 'Libri Shkollor' të gjitha tekstet prej klasës se gjashtë deri të nëntën, të gjitha ato që i ka lejuar nga Ministria e Arsimit, janë në librari dhe mund të blihen nga nxënësit apo prindërit e tyre”, thotë Shatri.

Ndryshe, procesin mësimor edhe këtë vit shkollor e ndjekin më shumë se 350 mijë nxënës, në rreth 1200 objekte shkollore me më se 20 mijë mësimdhënës.