Arbëri

Serbët hidhërohen pse Nishani pritet vetëm me flamuj shqiptarë në Luginë të Preshevës

Bujar Nishani, president i Shqipërisë, sot do të vizitojë Luginën e Preshevës, por mediat në Serbi thonë se ai nuk do të ndihet si jashtë shtetit të tij, pasi që të gjitha rrugët në Bujanoc e Preshevë janë të mbushura me flamuj shqiptarë dhe asnjë i shtetit të Serbisë, siç ndodh në vizitat tjera shtetërore.

Jonuz Musliu, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë, disa ditë më parë ka thënë se “presidenti vjen pasi që kushtetuta e Shqipërisë e obligon atë të mbrojë shqiptarët kudo që jetojnë”, ndërsa siç mëson portali serb “Alo”, në fjalimin e tij përshëndetës, Nishani do të flas, mbi të gjitha, “për domosdoshmërinë e formimit të komunave shqiptare në jug të Serbisë”, transmeton Koha.net.

“Presidentit do t’ia tregoj problemet dhe diskriminimet me të cilat shqiptarët përballen në këto pjesë”, ka thënë Musliu, i cili ka urdhëruar nxënësit e shkollës së mesme “Sezai Surroi” të mbushet me mbi 100 flamuj shqiptarë.

Ky medium serb shkruan më tej se interesante është ajo që, një ditë pas vizitës së Nishanit, Jonuz Musliu do të udhëtojë në Kosovë, i cili do të nderojë komandantin e UÇK-së, Adem Jasharin.

Sipas analistit Dragomir Anxhelkoviq, vizita e presidentit Nishani në këtë kohë tregon se Tirana nuk heq dorë nga krijimi i Shqipërisë së Madhe.

Sipas protokollit, presidenti i Shqipërisë do të duhej të vinte sot në mesditë në Bujanoc, ku do të takohet me përfaqësuesit shqiptarë nga këto komuna, ndërsa më pas do të udhëtojë për në Preshevë.