Arbëri

Komercialja me nga 800 lëndë për një gjyqtar

Bizneset të ndryshme që i janë drejtuar Gjykatës Komerciale për zgjidhjen e kontesteve tregtare, ankohen për zvarritje në trajtim të lëndëve. Avokatët thonë se çdo vonesë është dëm i pariparueshëm financiar për biznesin. Por, në Komerciale i arsyetojnë vonesat me numrin e vogël të gjyqtarëve. Si pasojë e kësaj, thonë se një gjyqtar i vetëm është i angazhuar me mesatarisht 800 lëndë

Shaip Hamza nga Skenderaj ka rreth 5 vjet që është duke kërkuar në gjykata kompensimin e dëmit që ia shkaktoi një kompani, e cila i shiti fidanë kancerogjenë të mjedrave, në vlerë prej 19 mijë e 500 eurosh.

Hamza që bashkë me vëllain, kishin qenë përfitues të një grandi të Ministrisë së Bujqësisë më 2016, mbollën 2.6 hektarë mjedra të tilla, të cilat thotë se pavarësisht mundit e punës që iu bë, ato nuk lulëzuan.

“Pas dy vjetësh punime që u bënë, kot. Mjedrat vetëm u vyshkën, u thanë. Ne vendosëm që të thërrasim një komision dhe t’i bëjmë analizat. Analizat rezultuan me sëmundje kancerogjene që ishin të importuara nga kompania... E kemi çitë në Gjykatë më 2019, por prej atëherë dy-tri seanca janë ftuar, më kurrë. Tash më nuk po dimë as ku të ankohemi, as çfarë të bëjmë, as send”, ka thënë ai.

Hamza thotë se dëmi është i madh e toka është helmuar dhe më nuk mund të shërbejë për kultivimin e mjedrave.

“Dëmet janë bukur të mëdha, hip shifra mbi 60 mijë euro dhe atë me çmime të vjetra, të kaluara, që kanë qenë çmime të ulëta, sepse sot kjo shifër është shumë më e madhe. Duke llogaritur vetëm fidanë 26 mijë copë, plehrat organike, plehrat minerale, punën, punëtorët, sistemin, hapjen e puseve e të gjitha ato. Ne për dëmin presim të paktën të na kompensojë diçka, mirëpo Gjykata fare nuk po merret më me atë punë”, është ankuar ai.

Rastin e Hamzës e kanë pasur gjykatat e rregullta deri më 2022 kur është themeluar Gjykata Komerciale, së cilës i janë bartur lëndët e tilla të kontesteve tregtare dhe konflikteve administrative. Por prej atëherë, kjo Gjykatë nuk e ka thirrur asnjë seancë lidhur me këtë rast.

Që nga themelimi, Gjykata Komerciale ka zgjidhur 4 mijë 622 lëndë në shkallën e parë ndërsa në proces i ka 8 mijë e 459 të tjera. E në shkallën e dytë kjo Gjykatë ka zgjidhur 2 mijë e 656 lëndë, derisa në procedurë të trajtimit i ka edhe 780 sosh.

Në një përgjigje dhënë për KOHËN, zyrtarë të Komerciales thanë se për zgjidhjen e një lënde, sipas dinamikës së punës më 2023, mesatarisht u duhen mbi dy vjet e një muaj.

“Mesatarja e zgjidhjes së lëndëve (kohëzgjatja e procedurës) për vitin 2023 në Dhomat e Shkallës së Parë është 768 ditë, në Dhomat e Shkalës së Dytë 128 ditë, ndërsa mesatarja e përgjithshme e zgjidhjes së lëndëve në Gjykatën Komerciale është 540. Mesatarja si më lartë nuk pasqyron gjendjen reale për zgjidhjen e lëndëve, për shkak se rreth 10 mijë lëndë janë të transferuara nga gjykatat themelore nga vitet e ndryshme e të cilat konsiderohen më të vjetra se 24 muaj”, thuhet në përgjigje.

Avokati Florim Shefqeti thotë se vonesat e trajtimit të lëndëve nga Komercialja janë dëm i pariparueshëm financiar për bizneset. Kësisoj thotë se prioritet duhet t’u jepet lëndëve të vjetra.

“Parimi i gjykimit në kohë të arsyeshme domosdo do të shpinte në nevojën që këto lëndë të trajtoheshin me prioritet para lëndëve të tjera, sepse janë në sistemin gjyqësor. Qytetarët dhe bizneset kanë kërkuar drejtësi 4-5 vjet para themelimit të gjykatës komerciale dhe s’ka arritur të marrin një epilog. Nëse këto nuk trajtohen para lëndëve të tjera, atëherë nuk vlerësoj që ka gjykim sipas parimit në kohë të arsyeshme”, ka thënë ai.

Në Komerciale thonë se mungojnë kapacitetet për trajtimin me kohë të lëndëve.

Që nga themelimi i Gjykatës, Ministria e Drejtësisë nuk ka arritur ta kompletojë minimumin e numrit të gjyqtarëve të cilin e ka përcaktuar vetë në Ligjin që e ka hartuar për këtë instancë drejtësie.

“Numri aktual i gjyqtarëve është i pamjaftueshëm në raport me ngarkesën me lëndë. Me gjendjen aktuale, një gjyqtar i Dhomave të Shkallës së Parë është i ngarkuar me rreth 800 lëndë secili. Pra, në të dyja shkallët e Gjykatës janë të angazhuar tetëmbëdhjetë (18) gjyqtarë, ndërsa bazuar edhe në Ligjin për Gjykatën Komerciale, numrin i gjyqtarëve të cilët duhet të angazhohen është minimumi njëzet (20)”, thuhet në përgjigje.

Në dhomën e shkallës së parë të kësaj gjykate janë të angazhuar gjashtë 12 gjyqtarë, njëri prej të cilëve është në fazën e trajnimit fillestar për gjyqtar, ndërsa në dhomën e dytë, 6 gjyqtarë.

Në Dhomat e Shkallës së Parë, proceset gjyqësore shqyrtohen nga Departamenti për Çështje Ekonomike, në kuadër të të cilit funksionon Divizioni lidhur me Kontestet me Investitorët e huaj; Departamenti Fiskal; Departamenti për Çështje Administrative; si dhe Departamenti i Përgjithshëm.

Ndërkaq, të gjitha rastet në Dhomat e Shkallës së Dytë, vendosen në kolegj prej tre gjyqtarëve profesionistë, ndërsa janë kompetente për të trajtuar: Të gjitha ankesat ndaj vendimeve të dhomave të shkallës së parë brenda kompetencave; Të gjitha ankesat ndaj një urdhri për transferimin, apo refuzimin për transferim, të një rasti brenda departamenteve të shkallës së parë, që janë parashtruar brenda afatit të caktuar; Konfliktet e juridiksionit nga dhomat e shkallës së parë, brenda afatit prej 30 ditëve; si dhe Çështjet e tjera siç mund të parashikohen me ligj.