Arbëri

Ish-klienti i Ramës ankohet se “jashtëligjshëm” iu ndalua këmbimi i pronës në Badoc

Pronari i tokës në Badoc, Rrahman Haradini, ka filluar betejën ligjore me institucionet publike, pas anulimit të vendimit për këmbimin e pronave të tij me atë publike te Prishtina e Re. Në ankesën e siguruar nga KOHA, ai pretendon se në vitin 2020 Ministria e Mjedisit e ka obliguar Komunën e Prishtinës ta bëjë shpronësimin. Por, në shkresën e Ministrisë thuhet krejt diçka tjetër.

Rrahman Haradini, ish-klient i kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, është ankuar tek Ministria e Pushtetit Lokal dhe Komuna e Prishtinës, për vendimet që këto institucione kanë marrë, e me të cilat i pamundësohet këmbimi i pronave të tij private në Badoc me pronën publike në zonën Prishtina e Re.

Në ankesë, kopje të së cilës i ka siguruar KOHA, thuhet se në vitin 2020 Ministria e Mjedisit e ka obliguar Komunën e Prishtinës ta bëjë shpronësimin, pasi pronat e tij u shpallën me interes publik.

“Duke i gjetur në një situatë të tillë, këtu ankuesi detyrohet të pranojë faktin se pronat e tij private nuk mund të përdorën apo shfrytëzohen për realizimin e asnjë interesi privat, pasi që të njëjtat tani e tutje janë prona me interes publik dhe të njëjtat duhet t’i nënshtrohen procedurës së shpronësimit”, thuhet në ankesë.

Por, Ministria e Mjedisit kishte thënë diçka tjetër. Në vendimin e këtij institucioni, vetëm theksohet se zona ishte e mbrojtur dhe se Komuna e Prishtinës ka dhënë jashtëligjshëm kushtet ndërtimore.

“Komuna e Prishtinës, bazuar në nenin 15, pika 1 e vendimit të Zonave të Mbrojtura për Akumulacionin e Badovci ka qenë e obliguar t’i përmbahet ndjekjes së procedurave për tu pajisur me Pëlqim Mjedisor, pa nisur procedurat për Leje Ndërtimi (Kushtet e Ndërtimit)”, thuhet në vendimin e Ministrisë së Mjedisit.

Kuvendi Komunal i Prishtinës e edhe disa institucione të tjera, përfshirë ato të drejtësisë, janë aktivizuar pasi në fillimvit KOHA raportoi se me propozim të kryetarit Rama, është këmbyer prona në Badoc e ish-klientit të tij, me pronë komunale në vlerë shumë më të lartë tek Prishtina e Re.

Pa prezencën e LDK-së, Kuvendi Komunal e anuloi vendimin. Por, Haradini në ankesë ka thënë se vendimi është në kundërshtim me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Me vendimin e atakuar me këtë ankesë synohet të përfundohet procedura administrative sa i përket këmbimit të këtyre provave, e që një përfundim i tillë do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe Legjislacionin në fuqi, për shkak se procedura e këmbimit të këtyre pronave bazën e saj e ka në vendimin e datës 21.12.2023, plotfuqishmëria dhe ekzekutueshmëria e të cilit është konfirmuar me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastet KO159-21 dhe KO160-21”, thuhet në ankesën e Haradinit.

Një pjesë e pronës së Haradinit është këmbyer edhe në vitin 2021, me propozim të ish-kryetarit Shpend Ahmeti.