Arbëri

Lajcak: Dy shtete të Ballkanit pranë shpërbërjes

Bashkimi Evropian vazhdimisht e më pak po shpreh seriozitet që të bashkëbisedojë për çështjen e zgjerimit të Unionit, ka hequr dorë nga Ballkani Perëndimor dhe pasojat janë se sot atje janë dy shtete para shpërbërjes, ndërsa tri të tjera në krizë të thellë.

Kështu ka deklaruar të hënën ministri sllovak i Punëve të Jashtme, Miroslav Lajcak, para takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së.

“BE po bëhet vazhdimisht e më pak bashkëbisedues serioz kur bëhet fjalë për zgjerimin. Ne nga Ballkani Perëndimor kemi dështuar në fjalë e vepra dhe sot po i shohim pasojat – kemi dy shtete pranë shpërbërjes dhe tri që janë në krizë të thellë politike”, ka thënë ai dje para takimit të ministrave të jashtëm të BE-së.

Ndonëse nuk ka përmendur me emra shtetet e etiketuara, besohet se dy shtetet që tha se janë në prag të shpërbërjes janë Kosova dhe Maqedonia, e para e rrezikuar nga Serbia për pjesën e saj veriore, ndërsa e dyta rrezikon të ndahet në baza etnike, shqiptare dhe maqedonase, krizë kjo e thelluar pas zgjedhjeve të fundit parlamentare atje.