Arbëri

Delawie: Bashkë kundër kërcënimit dinamik që na rrezikon

Pejë, 7 mars – Në kuadër të iniciativës globale për ngritjen e vetëdijes të nivelit lokal në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm, të hënën në Pejë ka nisur mbajtja e një punëtorie rajonale dyditore me temën “Qytetet e forta, parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë”.

Qyteti i Pejës është njëra prej 12 komunave të Kosovës që është inkuadruar në këtë rrjet global dhe njëkohësisht Kosova ka numrin më të madh të qyteteve nga vendet e Ballkanit që janë të përfshirë në këtë rrjet.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka thënë se përhapja e ideologjisë së rrezikshme është problem i përbashkët dhe se, sipas tij, të gjithë duhet të angazhohen në parandalimin e tij, shkruan sot “Koha Ditore”. “Diçka që fillon në një komunitet mund të ndikojë në një tjetër. Pikërisht këtë e bënë rrjetin e qyteteve të forta që të bashkohemi. Mirëpo një program i vetëm nuk mund ta trajtojë këtë problem. Prandaj qytetet e forta janë shumë të rëndësishme në adresimin e këtij kërcënimi dinamik, duke na ndihmuar për të zhvilluar dhe shkëmbyer praktikat më të mira në reagimin ndaj këtij kërcënimi që na rrezikon të gjithëve”, u shpreh diplomati amerikan.

Ai para pjesëmarrësve të kësaj punëtorie shprehu besimin në institucionet lokale që funksionojnë mirë, duke i konsideruar ato si mjeti më i mirë për ta parandaluar ekstremizmin dhe radikalizmin e dhunshëm, në mënyrë që të mos vënë rrënjë në qytetet dhe fshatrat e Kosovës.

“Askush nuk e di më mirë se vendasit dhe prijësit se çka po ndodh në komunitetin e tyre dhe ku mund të ketë probleme të cilave duhet t’u kushtojmë vëmendje. Si udhëheqës lokalë ju posedoni zërat bindës për ta sfiduar ekstremizmin e dhunshëm në të gjitha format e shfaqjes së tij”, tha Delawie. Ai nxiti “qytetet e forta” që të marrin pjesë në mënyrë aktive në veprimtarinë e këtij rrjeti dhe të shfrytëzojnë burimet e tij të shumta dhe të larmishme.

Për ta luftuar me sukses këtë dukuri globale, pjesë e të cilit mjedis global është edhe vendi ynë, Jan Braathu, shef i misionit të OSBE-së në Kosovë, e sheh si shumë të rëndësishme bashkëpunimin, ndërgjegjësimin dhe koordinim e gjitha aktiviteteve, në mënyrë që të gjithë të kontribuojnë për një shoqëri demokratike, pluraliste dhe që respekton të drejtat e njeriut. E çelësi për luftimin e kësaj dukurie, sipas tij, është në duart e niveleve lokale.

“Ne në OSBE besojmë fuqishëm që angazhimi i komiteteve në nivel lokal në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm është çelësi i suksesit për trajtimin e këtij fenomeni”, tha Braathu. Për angazhimin kundër këtij ekstremizmi të dhunshëm janë duke ndier detyrim të madh edhe qeveritarët e Komunës së Pejës, që tash është bërë edhe vetë pjesë e këtij rrjeti global, të quajtur qytetet e forta.

Kryetari i kësaj komune, Gazmend Muhaxheri, tha se do ta ketë prioritet fuqizimin e partneritetit mes qeverisë, shoqërisë civile dhe sektorit privat, për ta ngritur angazhimin dhe qëndrueshmërinë e komunitetit kundër shumë dukurive negative, e veçanërisht, siç tha ai, kundër ekstremizmit të dhunshëm.

“Herën e parë kur është prezantuar ideja që Peja të jetë pjesë e kësaj iniciative globale, isha shumë skeptik, por tash kur shoh angazhimin e të gjithëve, jam i bindur në suksesin e këtij rrjeti që ne e kemi përkrahur dhe e kemi kuptuar. Prandaj, jemi këtu së bashku me juve që të kontribuojmë në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm”, u shpreh Muhaxheri. Ai shpreson që kjo punëtori të mundësojë shkëmbimin e eksperiencave dhe të nxirren rekomandime të vlefshme për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, në mënyrë që, siç shtoi ai, Ballkani Perëndimor të mos jetë i influencuar nga këto dukuri negative, të cilat e pengojnë zhvillimin e këtij rajoni.

Të gjitha këto premtime të shprehura dhe motivuese për luftimin kësaj dukurie e nxiti shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë që t’ia japë dorën Sabri Bajgores, kryemam i Bashkësisë Islame në Kosovë, pas fjalëve që ai i foli. E njëra prej atyre fjalëve motivuese ishte edhe premtimi që do të luftojë maksimalisht çdo ideologji që i kundërvihet islamit paqësor. “Islami që ne e besojmë dhe që emrin e ka paqe vërtet është fe e paqes dhe mëshirës. Andaj edhe një herë para jush u premtoj që ne bashkërisht me ju do të përpiqemi ta luftojmë maksimalisht çdo ideologji që i kundërvihet islamit paqësor që na e kanë përcjellë brez pas brezi të parët tanë”, tha Bajgora. Ai më tej tha se si Bashkësi Islame e Kosovës e kanë për obligim që nëpër xhami të shpjegohen në mënyrë të drejtë ajetet kuranore.

“Duhet ta dini ju dhe mbarë opinioni, se nga aspekti i përgjegjësisë fetare e drejtë ekskluzive e komentimit dhe e sqarimit të ajeteve kuranore janë vetëm një grup i ngushtë ekspertësh fetarë e dijetarë, e jo individë të cilët po bëjnë çmenduri në emër të Kuranit dhe në emër të vetë islamit”, tha kryemami i Bashkësisë Islame në Kosovë.