Arbëri

Qeveria: Demarkacioni shkon në Kuvend brenda marsit

Faton Abdullahu, këshilltar për media i kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, thotë se çështja e demarkacionit do të mbyllet brenda muajit mars.

Në Interaktiv të KTV-së ai ka thënë se puna e komisionit të ekspertëve për matjen e territorit ka bindur plotësisht qeverinë për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi dhe se kundërshtimet që bëhen nga opozitarët dhe disa deputetë të pozitës janë vetëm trillime.

“Duket se po (i afrohemi fundit së çështjes së demarkacionit). Si shoqëri kemi shpenzuar goxha energji në këtë drejtim. Si qeveri jemi munduar që të mos i lëmë anash punët vitale. Është bërë punë e mirë nga komisioni për matjen e territorit. I japim të drejtën vetës për të konstatuar kështu sepse komisioni vetëm i ka plotësuar gjetjet që janë servuar nga komisioni shtetëror. Kemi përkrahjen edhe të Departamentit të Shtetit”, ka thënë ai. “Besoj që shumë shpejt do të përfundojë gjithçka, madje gjatë muajit mars”.

Sipas tij, nëse demarkacioni nuk kalon në Kuvend, koalicioni qeverisës nuk do të shpërbëhet.

Abdullahu ka shtuar se për këtë version qeveria ka mbështetjen e plotë të SHBA-së dhe se asnjë ekspert që ka dalë kundër këtij versioni nuk ka arritur të tregojë fakte se komisioni ka gabuar gjatë matjes.

“Mund të ketë edhe reagime kundër, por qeveria është e bindur se nuk ka gabime, se Kosova nuk po humb tokë. Siç e ka thënë edhe ambasadori amerikan qasja e opozitës por edhe të deputetëve që nuk janë opozitarë, në përpjekjen e tyre nuk bëjnë asgjë tjetër, pos që trillojnë. Askush nuk e dëshmoi se kjo tokë atje i ka takuar filanit”, ka shtuar më tej ai.

Abdullahu po ashtu ka shtuar se Kosova po dëshiron që ta përfundojë më shpejt çështjen e demarkacionit edhe për të ndihmuar Malin e Zi, që e ka demarkacionin kusht për pranim në NATO. Megjithatë, ai thekson se kjo “ngutje” nuk nënkupton që qeveria po gabon në matje.