Arbëri

Përkujtohet Komandant Kumanova në 19 vjetorin e rënies

Një delegacion i Komunës së Malishevës, i prirë nga kryetari i Komunës së Malishevës, z. Ragip Begaj dhe drejtor të drejtorive komunale, kanë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në fshatin Kleçkë, ku janë përkujtuar dëshmorët e Brigadës 121 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), me rastin e shënimit të nëntëmbëdhjetë vjetorit të rënies së Ismet Jasharit- Komandant Kumanova, transmeton Koha.net.

Ai u lind me 16 prill 1967 në Orizare të Likovës. Shkollën fillore e kreu ne vendlindje për ta vazhduar shkollimin e mesëm në Kumanovë. Si gjimnazist nis te merret me aktivitet patriotik dhe shpejt bie ne sy të pushtetit të atëhershëm dhe përjashtohet nga bankat shkollore, por Ismeti shkollimin do ta vazhdonte në gjimnazin “Skënderbeu” në Preshevë.

Gjatë kësaj kohe vazhdimisht përcillet nga organet e sigurimit shtetëror, për çka detyrohet që në gusht të vitit 1988 të migroi në Zvicër, ku vazhdon veprimtarinë e tij patriotike me shumë shokë të tjerë të idealit. Me të filluar lufta në Kosovë ai lë familjen në Zvicër dhe hyn në Kosovë. Së bashku me Fatmir Limajn vënë bazat e njësitit “Çeliku”, i cili më vonë shndërrohet në Brigadën 121 të UÇK-së, e cila merr emrin e vet Ismet Jasharit, pas rënies së tij.

Ismet Jashari ishte bërë një figurë e dashur në zonën e Malishevës, ai ishte frymëzuesi për luftëtarët e rinj për të cilët kishte nevojë UÇK-ja dhe çlirimi i atdheut, Ishte shndërruar në një legjendë të gjallë dhe krahasohej me Adem Jasharin për trimëri e sakrificë, kjo porosi edhe pas nëntëmbëdhjetë vitesh mbetet e freskët për shokët e idealeve dhe për brezat e rinj dhe mbarë popullin shqiptar e gjeografinë kombëtare.

Pas shumë aksioneve dhe betejave të suksesshme kundër forcave serbe, Ismet Jashari-Komandant Kumanova, më 25 gusht 1998 bie heroikisht në Luzhnicë. Ismet Jashari më 25 gusht 2009 shpallet Hero i Kosovës.

Image