Arbëri

Qeveria emëron sekretarin e përgjithshëm të MPB-së pa konkurs, MAP-i e arsyeton

Në mbledhjen e rregullt të Qeverisë, ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni propozoi që Lulzim Ejupi të emërohet në postin e sekretarit të përgjithshëm të MPB-së, pasi kjo pozitë ka mbetur pa sekretar prej ditës kur Driton Gashi ishte caktuar drejtor i AKI-së.

Ejupi deri tani mbante postin e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë për Regjistrim Civil në MPB.

Mirëpo edhe pse ministrat e kabinetit qeveritar nga radhët e PDK-së, kërkuan që për këtë pozitë të përfillen procedurat e konkursit, Qeveria pa asnjë votë kundër emëroi Ejupin për postin e sekretarit. Hyseni tha se për këtë rast, nuk ka nevojë për konkurs.

“Në këtë rast nuk ka nevojë për konkurs dhe nuk ka nevojë për asnjë procedurë tjetër, sepse flasim për të njëjtin rang dhe të njëjtin procedurë dhe mënyrë të emërimit”, tha ministri Hyseni, raporton KP.

Ishte zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi që kërkuan konkurs për rastin Ejupi, dhe jo drejtpërdrejt pa procedura, edhe pse nuk ishin kundër emërimit të Ejupit.

Mirëpo, këto dilema i ka hequr ministri i MAP, Mahir Yagcilar, duke thënë se ekziston një mundësi e tillë e emërimit pa konkurs, ngase edhe për dy pozita të njëjta ishte vendosur pa konkurs, dhe janë proceduar në Qeveria një vit më parë.

Ndër të tjera, në mbledhjen e Qeverisë është vlerësuar lartë renditja e Kosovës sa i përket indeksit të lirisë ekonomike. Sipas kësaj, Kosova është renditur në vendin 46 në botë dhe në vendin e 22 në Evropë.

Sa i përket këtij treguesi, kryeministri Isa Mustafa tha se në rajonin e Ballkanit Kosova është renditur në vendin e dytë, dhe kjo sipas tij, është inkurajuese për masat që do të ndërmerren më tej për bizneset dhe të promovohen rezultate, duke krijuar sa më shumë kushte të favorshme për investitorë e huaj.

Ndër pikat tjera të rendit të ditës, Qeveria po ashtu ka shqyrtuar nismën për lidhjen e marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të MASHT dhe organizatës “SPARK”, të Holandës për mbështetjen e Kolegjit ndërkombëtar të biznesit “IBCM”, në Mitrovicë.

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami duke arsyetuar këtë marrëveshje, tha se MASHT në përpjekje për të vazhduar mbështetjen institucionale tashmë disa vjeçare ndaj kolegjit ndërkombëtare të biznesit IBCM në Mitrovicë për ofrimin e arsimit të lartë nga ky institucion dhe pas krijimit të rrethanave të reja mbi pronësinë: asetet, mjetet dhe funksionet e alokuara nga “SPARK-u”, organizatë kjo holandeze, e cila me mbështetjen e katër ambasadave donatore ka arritur të konsolidoj si institucion të arsimit të lartë edhe kolegjin ndërkombëtar i Biznesit "IBCM" në Mitrovicë i cili është në fazën e fundit për sigurimin e qëndrueshmërisë financiare, si kusht për ofrimin e arsimit të lartë në regjion dhe më gjerë.

Bajrami tha se për këtë marrëveshje Qeveria ka obligim nga 600 mijë euro në vit, deri në zgjidhjen e përshtatshme të statusit ligjor të IBCM-së dhe krijimit të mundësive tjera alternative për sigurimin e mbështetjes financiar.

Mirëpo, duke parë një kosto goxha të lartë financiare, Qeveria vendosi ta shtyj për mbledhjen e ardhshme këtë projekt, për t’u konsultuar me Zyrën ligjore të Qeverisë për të gjitha modalitetet.

“Kjo marrëveshje ka për qëllim që të zhvillojë, të rris kapacitetet dhe ta mbështes veprimtarinë e IBCM, si një kolegj evropian shumë etnik në Mitrovicë, i cili synon që të nxjerr gjenerata profesionistësh të cilët do të lehtësojnë zhvillimin e biznesit në regjionin e Mitrovicës dhe të bashkëpunoj me të gjitha komunitetet. Ky kolegj pritet ta rrisë mundësinë e punësimit përmes programeve studimore me fokus kryesor në praktikën dhe shkathtësitë si dhe për të lehtësuarve të diplomuarve nisjen e ndërmarrjeve të tyre private. Për arsye të ofrimit të organizmit të arsimit për të gjitha komunitetet e regjionit në bashkëpunim me Zyrën e kryeministrit dhe në konsultim me ministrin e Financave jemi dakorduar për sigurimin e përkohshëm disa vjeçare për pesë vjet në vlerë të buxhetit prej 600 mijë euro për vit”, tha ministri Bajrami.

Po ashtu ai tha se Qeveria e Kosovës ka obligim ndaj këtij institucioni, sepse është bashkë financues, ngase ish- ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj ka iniciuar këtë projekt. Bajrami tha se për këtë model do të gjendet modeli i partneritetit publiko privat. 
Sipas tij, për këtë kolegj janë dy objekte, një në veri dhe një në pjesën jugore të Mitrovicës që janë ndërtuar me donacione nga donatorët.

Pas aprovimit që pritet të ndodhë në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, ky rekomandim do t’i shkojë presidentit të Kosovës për nënshkrim.