Arbëri

Buja thotë se nuk ka qenë kandidimi për kryetar arsyeja e largimit nga PDK-ja

Ish-deputeti i PDK-së dhe ish-kryetari i Komunës së Lipjanit, tani i Nismës për Kosovën, Shukri Buja, në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se kalimin e tij në këtë subjektet politik e ka bërë meqë iu mbyllen shtigjet, e një shteg të hapur e gjeti te ish-bashkëluftëtarët e tij.

Shukri Buja, ka thënë se nuk është çështja e kandidimit për kryetar që e bëri të largohej nga PDK, ashtu siç është raportuar.

“Unë kam qenë kundër të kandidohem, madje edhe kam shkruar letër për këtë. Kam thënë se nuk e pranoj kandidimin mirëpo më përjashtoi kryesia. Kam kërkuar që ky nominim të shqyrtohet nga organet kompetente”, ka thënë Buja.

Ai ka thënë se ka kërkuar të zyrtarizohet kandidati, dhe të mos përsëritet si në vitin 2013, por se kjo nuk ka ndodhur, madje nuk ka pasur as takime mes kryetarëve të degëve.

“U binda që PDK po shkon poshtë në zgjedhjet lokale. Duke e parë këtë gjendje dhe këtë mungesë nuk isha i gatshëm të përballesha me akuza që i humba zgjedhjet, e lirova veten dhe u tërhoqa nga kandidati i degës”, ka thënë Buja.