Arbëri

Maqedoni: Qeveri-Kuvend, rritje e transparencës apo marketing politik?

Qeveria e Maqedonisë ka kërkuar nga Kuvendi kontroll më të madh të punës së saj, respektivisht, institucioni ligjvënës të caktojë çdo javë nga një seancë, në të cilën deputetët do të mund të interesoheshin apo të pyetnin anëtarët e Qeverisë për çështje tematike. Kërkesa e Qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev, synon rritjen e transparencës në punën e saj, apo që për çështjet madhore me interes të qytetarëve të jenë të njoftuar ose të dalin me propozime edhe përfaqësuesit e zgjedhur në Kuvend.

Aktualisht deputetët në bazë të rregullores mbi punën e Kuvendit kanë të drejtën të parashtrojnë pyetje për ekzekutivin, por vetëm një herë në muaj, por seancat e tilla deri më tani ose nuk janë mbajtur ose kanë kaluar në polemika të ashpra mes pushtetit dhe opozitës për çështje kryesisht politike.

Kërkesa e fundit e Qeverisë vjen në kohën kur të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe organizatat joqeveritare kanë kritikuar raportet Qeveri-Kuvend, duke konstatuar anashkalimin e institucionit ligjvënës, apo vënien e tij në shërbim të ekzekutivit, që në realitet duhej të ishte e kundërta.

Ish-kryetari i Kuvendit, Stojan Andov, thotë për Radion Evropa e Lirë se ideja është e mirë dhe është një kopje që praktikohet në disa vende të zhvilluara evropiane, por që këtu të praktikohet nevojitet, sipas tij, përgjegjësi më e madhe e politikanëve apo që nismat e tilla të mos i ndërmarrin për pikë politike, por me qëllimin e sinqertë për ngritjen e nivelit të institucioneve.

“Nëse kjo realizohet, Kuvendi do të kishte kontroll më të madh mbi Qeverinë, por duhet parë nëse kjo do të keqpërdoret nga partitë. Praktika të tilla ka edhe në vende tjera, megjithatë tek ne duhet të ketë një koordinim të mirë, me qëllim që kjo nismë të realizohet sipas idesë së paraparë, e jo të keqpërdoret për pikë politike si nga Qeveria ashtu edhe nga deputetët, konkretisht nga ata të opozitës. Nëse kjo ndodhë,atëherë kjo nuk do të kishte kuptim, apo të përjetonte fatin e mbledhjeve mujore të përballjes së Qeverisë me deputetët”, thotë Andov.

Ismet Ramadani, ish-deputet në katër përbërje parlamentare thotë se raportimi i anëtarëve të Qeverisë para Kuvendit është në të mirë të transparencës jo vetëm në relacionet Qeveri-Kuvend, por edhe të institucioneve tjera të kenë përgjegjësi të raportimit para Kuvendit. Nëse këto mbledhje do të jenë efikase varet nga deputetët dhe Qeveria, thotë Ramadani duke u ndaluar në mbledhjen në të kaluarën të cilat më shumë janë shfrytëzuar për promovime se sa për dhënie të llogarisë.

“Në këtë rast, nëse Qeveria jep llogari pranë Kuvendit, atëherë është shumë e kuptueshme që edhe organet tjera do të jenë shumë më të përgjegjshme sepse një ditë edhe ato do të duhet të japin llogari për punën e tyre. Me këtë besoj se rritet autoriteti i Kuvendit, i cili përfundimisht e merr rolin e vet të cilin e ka edhe me Kushtetutë. Me këtë rritet edhe transparenca e Qeverisë dhe qytetarët do të jenë më të informuar për punën dhe aktivitetet e Qeverisë”, thotë Ramadani duke shtuar gjithashtu se çdo devijim nga ideja e nismës apo tendencat që përmes saj të përfitohen pikë politike do të prishin edhe më shumë imazhin e institucioneve.

Në bazë të anketave të realizuar nga organizata të ndryshme, Kuvendi është ndër institucionet më pak të besueshme, pa anashkaluar këtu edhe Qeverinë. Kuvendi i Maqedonisë shpesh herë është kritikuara apo është quajtur si “makineri votuese” që aspak nuk debaton për propozimet që vijnë nga Qeveria. Në të shumtën e rasteve ato miratohen në procedurë të përshpejtuar, duke forcuar kështu bindjen se deputetët fare nuk e dinë për çfarë kanë votuar.