Arbëri

RTK pranon se gaboi me emetimin e spotit të Veselit, e quan teknik

Pas reagimeve që kanë shkuar në adresë të televizionit publik të Kosovës për emetimin e një videoje të kryetarit të PDK-së dhe të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar kryeredaktori i RTK-së, Ridvan Berisha.

E ka pranuar se emetimi i plotë i këtij spoti në lajmet qendrore të televizionit ishte gabim, por e ka cilësuar si gabim teknik.

“Sonte në Lajmet Qendrore 19:30 e kemi transmetuar një spot televiziv të kryeparlamentarit Veseli kushtuar Epopesë së UÇK. I lexova reagimet e para, shumica kritika me vend. Dhe më duhet të ju njoftoj se ky ka qenë një lëshim krejt teknik sepse në vend të lajmit të shkurtër është transmetuar gabimisht spoti. Nuk e kemi praktikuar asnjëherë që të transmetojmë spote në edicione të lajmeve. E shfrytëzoj këtë rast për të ju thënë se ky ka qenë gabim plotësisht teknik dhe assesi nuk e kemi vënë në pikëpyetje gjykimin tonë editorial në raste të tilla të transmetimit të lajmit. Shpresoj të mirëkuptohemi!”, ka shkruar Berisha në profilin e tij në Facebook.