Arbëri

Konjufca: Padia për gjenocid kundër Serbisë është afër finalizimit

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se Kosova është afër finalizimit të padisë për gjenocid kundër Serbisë. Megjithëse nuk ka dhënë ndonjë datë se kur mund të bëhet kjo, Konjufca ka shtuar se që prej ardhjes në pushtet, Lëvizja vetëvendosje është angazhuar që padia e paralajmëruar prej vitesh të bëhet realitet.

“Prej ditës kur është bërë ndryshimi i madh dhe ka ardhur një qeverisje e re, është punuar pandërprerë, çdo ditë. Edhe sot mund të konstatoj që kjo është shumë afër. Nuk mund të jap muaj apo kohë të caktuar veç se e di që është bërë një punë e madhe deri tash, janë konsultuar edhe personat më të rëndësishëm profesionalë, që kanë njohuri në këtë fushë për ndërtimin e një padie profesionale kundër gjenocidit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës dhe mendoj që është bërë një punë e mirë deri tash, është afër, por për të gjitha hollësitë ua shtroni pyetjen Qeverisë“, ka theksuar Konjuca pas mbledhjes së Kryesisë.

Por shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Abelard Tahiri, ka thënë se nuk janë në dijeni deri ku është arritur me këtë proces, duke fajësuar Qeverinë për mungesë transparence. Megjithëkëtë, ai ofroi mbështetjen e PDK-së që padia ndaj Serbisë të bëhet sa më shpejt realitet.