Si pjesë e procesit konsultativ me palët e interesit, për zgjerimin e listës së produkteve për prokurim të përbashkët, Ministria e Financave ka mbajtur takim me palët e interesit, ku u diskutua për Ndryshim/Plotësimin e Udhëzimit Administrativ për Zbatimin e Procedurave të Prokurimit Publik të Përbashkët/Centralizuar, dhe me këtë rast u prezantuan kategoritë e reja që planifikohet t’i shtohen listës së prokurimit të përbashkët.
Zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Agim Krasniqi, bëri të ditur gjithashtu se që nga viti i kaluar ka filluar implementimi i platformës elektronike të “e-Prokurimit”, ku zbatimi në nivelin qendror ka filluar në fund të vitit të kaluar, ndërsa për nivelin komunal ka filluar në janar të këtij viti.
“Kjo formë e prokurimit siguron nivel më të lartë të transparencës dhe efikasitetit në shpenzimeve publike”, shtoi Krasniqi.
Ai shtoi se sipas Marrëveshjes që kemi me FMN-në, përveç kritereve të tjera të cilat janë plotësuar nga ana jonë, kriter mbetet edhe zgjerimi i listës së prokurimeve të centralizuara, për të qenë në harmoni të plotë me zbatimin e kësaj marrëveshje.
“Si rezultat, janë dhënë propozimet që kjo listë, nëpërmjet Ndryshim/plotësimit të Udhëzimit Administrativ për Zbatimin e Procedurave Qendrore të Prokurimit Publik, të zgjerohet me 4 kategori të mallrave dhe shërbimeve, të cilat janë: Blerja e veturave, Marrja me qira e veturave, Furnizim me mobileje, si dhe Shërbimet e shtypit të publikimeve”, u shpreh ai.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
-
15 shkurt 2017 12:54
-
Shpërndaje në: