Deliu-Kodra: PAN-i nuk merr pjesë në seancën e nesërme

Deliu-Kodra: PAN-i nuk merr pjesë në seancën e nesërme

13 August 2017 19:15

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se nesër (e hënë) duke filluar nga ora 10:00 është thirrur vazhdimi i seancës konstitutive, në të cilën pikë e vetme e rendit të ditës do të jetë zgjedhja e Kryetarit të Parlamentit dhe nënkryetarëve.

Megjithatë, koalicioni PDK-AAK-NISMA, ka ritheksuar se nuk do të marrë pjesë në seancë për të propozuar kandidatin e tyre, duke e bojkotuar kështu edhe një tjetër tentativë për zgjedhjen e kreut të Kuvendit.

Anëtarja e kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu- Kodra, në një prononcim për KosovaPress, ka deklaruar se deputetët e koalicionit PAN nuk do të jenë pjesë e seancës së nesërme, duke thënë se e njëjta është thirrur në mënyrë të njëanshme.

Sipas saj nënkryetari i PDK-së Enver Hoxhaj, e ka bërë të qartë se Grupi Parlamentar do të bojkotojë seancën, në rast se nuk mbahet takimi konsultativ i të gjitha subjekteve politike.

“Nënkryetari i PDK-së Enver Hoxhaj e ka bërë që ditur qëndrimin që nuk marrim pjesë në seancë pasi ajo është thirrur në mënyrë të njëanshme. Hoxhaj ka propozuar që të mbajmë takimin konsultativ të mërkurën, dhe më pas të thirret seanca”, tha Deliu-Kodra.

Ajo ka shtuar se PDK është për zgjidhjen e krizës institucionale përmes një konsensusi në mes të të gjitha subjekteve politike dhe jo siç deklaroi ajo, në mënyrë të njëanshme.

Ndërsa kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, më i moshuari i përbërjes së re, Adem Mikullovci, ka hedhur poshtë kërkesën e PAN-it për vazhdimin e konsultave. Ai madje gjatë ditës ka paralajmëruar se në seancën e nesërme do të ketë dy befasi, gjithnjë nëse do të ketë kuorum.

Ndryshe, nesër për herë të katërt do të mbahet vazhdimi i seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës, në përpjekje për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, një domosdoshmëri kjo për krijimin e Qeverisë së re, për të cilën nevojiten 61 votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Komentet

Gzimi14/08/2017 09:55

Znj. Deliu bojkotimi i seancës konstutive nga PAN-i është shkelje e Kushtetutës, për vete faktin se PAN-i ka të drejten ekskluzive të propuzoj kandidatin për Kyetar Parlamenti dhe bojkutimi përveteven është shkelje e fortë e logjikës Kushtetutëse.

Blerim14/08/2017 09:55

Per disa njerez hipokrizia me te vertet nuk ka fund. Me shume se 10 mije shqipetare te Kosoves humben ose dhane jeten qe Kosova te kete Kuvendin e vete e te udhehiqet nga vete shqipetaret .E keta sot bojkotojn punen e Kuvendit kur te kan qejf. Mjere Kosova kush i ulet ne Kuvend.

Shto koment

Të ngjashme