Arbëri

Komisioni qeveritar: Me Deklaratën për Personat e Zhdukur Serbia po ecën drejt pranimit të së vërtetës

Descriptive Text

Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur ka thënë se me nënshkrimin e deklaratës pёr personat e zhdukur, pas mohimit 24 vjeçar, Serbia pranon krimin e zhdukjes me forcë gjatë luftës nё Kosovё. Këtë e ka vlerësuar të rëndësishme për shkak të konceptit që i referohet si “zhdukje me forcë”.

Në veçanti ka theksuar rëndësinë e dakordimit për hapje të arkivave nga Serbia.

“Pas 24 vitesh, Serbia për herë të parë pranoi përmes një dokumenti zyrtar, që të sigurojë qasje te plotë në informacione, përfshirë edhe ato që kanë statusin e klasifikuar, që ndihmojnë të gjenden dhe identifikohen personat e zhdukur brenda 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000, periudhës kohore në përputhje me Ligjin Nr. 04/L-023 për persona të zhdukur, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në vitin 2011”, thuhet në komunikatën e lëshuar.

Nga varrezat masive të Batajnicës, Kizhevakut, Rudnicës, Bajnabashtës dhe Petrovosellos, Peruçacit, në Serbi janë zhvarrosur mbi 950 shqiptarë. Megjithatë në këto varreza masive të zbuluara nuk ka të vendosur asnjë pllakë përkujtimore.

“Andaj me këtë deklaratë Serbia po ecën drejt pranimit të së vërtetës”, ka thënë komisioni.

Po ashtu, dakordimi për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji tjera në zbulimin e varrezave masive është me shumë rëndësi, thotë tutje.

“Kjo deklaratë po ashtu thekson inkurajimin për angazhimin aktiv të familjeve të personave të zhdukur në procesin e identifikimit të fatit të tyre. Ne mbesim të përkushtuar për të zbardhur zhdukjet me forcë gjatë luftës dhe për t’i dhënë fund ankthit të pritjes së familjarëve për të ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre”.

Komisioni ka shtuar se deklarata e miratuar është hapi i parë që kërkon domosdoshmërisht mbikëqyrje dhe trysni nga faktorët ndërkombëtarë mbi Serbinë, për zbatimin obligimeve të marra, deri në zbardhjen e fatit të mbi 1600 personave të zhdukur në Kosovë.