Arbëri

Serbët thonë se takimi Kurti-Vuçiq është për Asociacionin, Qeveria e as BE-ja s’i tregojnë temat

Descriptive Text

Pas caktimit të takimit Kurti-Vuçiq për datën 2 maj, zyrtarët serbë kanë thënë se ka dakordim që ai t’i kushtohet themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Sipas tyre, ky mekanizëm do të themelohet sipas marrëveshjeve të mëhershme e jo ashtu siç ka paralajmëruar kryeministri Kurti. Prezantimin e draftit të parë për Asociacionin këtë muaj e kishte paralajmëruar edhe kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, sipas të cilit në momentin e prezantimit pushon puna e ekipit dhe çështja kalon në rrafsh politik.

Zyrtarë të Qeverisë së Serbisë kanë theksuar se tashmë është arritur pajtimi për temat që duhet të trajtohen në takimin e nivelit të lartë, që më 2 maj do të mbahet në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Sipas tyre, Asociacioni do të jetë kryetema dhe se në këtë takim do të prezantohet edhe drafti i Statutit të këtij mekanizmi ombrellë për komunat me shumicë serbe.

“Është rënë dakord që raundi i ardhshëm i dialogut t’i kushtohet Bashkësisë së Komunave Serbe, për të shkuar me hapat më konkretë, por jo siç dëshiron Kurti, por siç është rënë dakord në 2013-n dhe 2015. Ekipi menaxhues do ta shpjegojë draft-statutin e Bashkësisë së Komunave Serbe dhe më pas do të ketë diskutime për të”, ka thënë Petar Petkoviq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Por në Bashkimin Evropian dhe as në Qeverinë e Kosovës nuk kanë treguar se cilat do të jenë temat.

E, pavarësisht se edhe zyrtarë të Serbisë e edhe ata të Qeverisë së Kosovës i janë referuar ekipit menaxhues për Asociacionin, përbërja e tij e as puna e deritashme nuk janë bërë publike.

Edhe kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, këtë muaj paralajmëroi prezantimin e draftit të parë të grupit menaxhues për “vetëmenaxhimin e komunitetit serb”. Sipas tij, në momentin e prezantimit pushon puna e ekipit dhe çështja kalon në rrafsh politik.

“S’mund ta dimë në ç’stad ndodhet puna e grupit menaxhues, por do të ftohen në takimin e radhës për të prezantuar punën e tyre. Në momentin e prezantimit të draftit pushon puna e tyre. Pastaj kalon në rrafsh politik”, ka thënë Bislmi.

Sipas Bislimit, drafti do të vlerësohet në bazë të disa kritereve dhe u është referuar vendimit të Kushtetueses të vitit 2015, marrëveshjes së vitit 2013 dhe asaj të vitit 2015. Si kriter tjetër ka përmendur edhe letrën që ish-shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, i ka dërguar ish-kryeministrit të Kosovës në vitin 2015, në të cilën BE-ja është shprehur se kjo trupë s’duhet të ketë asnjë lloj kompetence ekzekutive.

Pavarësisht krijimit të Komitetit për Monitorimin e Marrëveshjes, njohës të politikës së jashtme thonë se dokumenti ka dykuptimësi që lejon interpretimin e ndryshëm të palëve për pikat e njëjta.

“Pastaj, ka përfshirje selektive në Aneksin e implementimit, ta zëmë aty nuk përmenden të gjitha pikat e marrëveshjes. Duhet parë se si do të bëhet implementimi në praktikë, por për më shumë, si do të adaptohet Bashkimi Evropian në rolin e monitoruesit. Fakti që Serbia nuk ka nënshkruar do t’i lejojë klasës politike atje të tentojë t’ia ulë vlerën këtij dokumenti, duke mos e konsideruar marrëveshje ndërkombëtare”, ka thënë Butrint Berisha, njohës i politikës së jashtme.

Pas ujdisë së Ohrit, palët kishin vijuar diskutimet rreth pikës që flet për të zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë. Pas takimit të 6 prillit mes kryenegaciatorëve Besnik Bislimi e Peter Petkoviq, shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, njoftoi se Kosova dhe Serbia janë pajtuar për tekstin e deklaratës në lidhje me personat e pagjetur, e cila pritet të miratohet në takimin e ardhshëm.