Arbëri

Shqiptarët e Maqedonisë nuk do të paguajnë për “Rrugën e Arbrit”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka lajmëruar shfrytëzuesit e “Rrugës së Arbrit” se pas përfundimit të saj nuk do t’ju duhet të paguajnë asnjë tarifë.

Ky pohim i kreut të ekzekutivit shqiptar është bërë në llogarinë e tij në “Facebook” vetëm një ditë pasi Ministria e Transportit dhe e Infrastrukturës në Shqipëri ka hapur zyrtarisht garën për dhënien me koncesion të “Rrugës së Arbrit”, e cila lidh Tiranën me Dibrën, shkruan sot Koha Ditore.

Kontrata do të jepet në formën e partneritetit publiko-privat(PPP), ku subjekti që do të rezultojë fitues do të ndërtojë, operojë dhe mirëmbajë këtë aks kombëtar.

Megjithëse “Rruga e Arbrit” do të jepet me koncesion, qarkullimi në këtë rrugë nuk do të paguhet, duke tingëlluar disi absurd.

Ndërkohë që do të paguhet qarkullimi në “Rrugën e Kombit”, ku kjo rrugë është ndërtuar me paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe me kredi tregtare që ende po vazhdojnë ta paguajnë shqiptarët. Kështu që shqiptarët e Maqedonisë Perëndimore dhe dibranët në Shqipëri nuk do të paguajnë për “Rrugën e Arbrit”, ndërsa kosovarët dhe kuksianët, hasjanët e tropojanët në Shqipëri do të paguajnë për “Rrugën e Kombit”. (Detajet mund t’i gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)