Pacolli insiston në Qeveri gjithëpërfshirëse

11 August 2017 19:08

Gjatë muajit korrik, presidenti Hashim Thaçi, kishte zhvilluar takime të ndara nëpër kafene me liderin e PDK-së, Kadri Veseli, e atë të AAK-së, Ramush Haradinaj, e tek më pas kishte caktuar seancën për 3 gusht.

3 gushti nuk solli zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, e madje kjo nuk u bë as pas katër herë tentime, meqë vetë ata që e kishin siguruar presidentin se i kanë votat në Kuvend, e bëjnë të pamundur vazhdimin e seancës me bojkotin e tyre.

Kryesuesi Adem Mikullovci, ka vendosur që të mos thërrasë më takime konsultuese, kusht ky që PAN-i e ka vënë në mënyrë që të marrin pjesë në seancë.

Tashmë, një seancë është thirrur zyrtarisht për të hënën, por PAN-i sërish nuk do të jetë aty.

Pal Lekaj i AAK-së ka thënë se qëndrimi i tyre nuk ndryshon dhe se insistojnë për një takim të mërkurën.

Ai nuk e sheh të nevojshëm për momentin ndërmjetësimin e presidentit, meqë, sipas tij, reflektimi i Behgjet Pacollit do t’ia sjellë Kosovës shumë shpejt institucionet e reja.

Vetë Pacolli sërish këtë të premte ka zgjedhur rrjetin social për të dërguar porositë e tij.

Ai ka thënë se për të Kosova mbetet në rend të parë, e ky, sipas tij, është patriotizëm.

Ai ka kërkuar Qeveri gjithëpërfshirëse. Ka thënë se institucionet duhet të krijohen sot, sepse nesër është vonë.

“Unë e di pse situata sot është bllokuar. Pse të gjithë në rend të parë po i vendosin interesin e tyre personale dhe partiake, dhe jo ato të Kosovës. A nuk është rotacioni interesi i Kosovës? A nuk është interesi i Kosovës bashkimi i të gjitha partive (pa marrë parasysh blloqet), sot dhe menjëherë, për të krijuar Qeverinë gjithëpërfshirëse, çka unë po e propozoj? Pra, krijimi i një Qeverie me bazë të gjerë, ku minoritetet nuk përcaktojnë fatin e shtetit, të ekonomisë, të Ushtrisë sonë? Qeveria, institucionet duhet të krijohen tani! Menjëherë, mos të përsëritet gjendja e 2014-ës. Nesër është vonë!”, ka shkruar ndër të tjera Pacolli.

Por, kandidati për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se PDK-ja krizën e vet po mundohet ta shndërrojë në krizë institucionale.

“Kriza e kësaj partie, kriza e një partie, po synon të institucionalizohet, të bëhet krizë institucionale. Krizën e PDK-së si parti po orvaten ta transformojnë në krizë të institucioneve të shtetit. Duke zvarritur e duke mohuar, duke bojkotuar e duke bllokuar, duke mbajtur anë presidenti e duke lobuar me kriminelë, duke joshur e duke kërcënuar, të afërm të deputetëve e me të afërm gazetarë të tyre mbi vetë deputetët. Këto janë shkelje të ligjit e Kushtetutës, janë vepra penale. Sikur të kishim shtet demokratik”.

Ndërkohë, shoqëria civile e sheh të nevojshme ndërhyrjen e presidentit në këtë situatë, nëse deri javën e ardhshme nuk do të ketë zgjidhje të krizës.

KTV-ja ka kërkuar edhe nga zyra e presidentit të marrë një përgjigje nëse i pari i shtetit do të marrë iniciativë për të mbledhur në takim përfaqësuesit politikë, në tentim për të gjetur zgjidhje, por nuk kanë kthyer përgjigje.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme