Arbëri

Jashtë kontrollit, milionat e ndihmës shtetërore

Qeveria e Kosoves - Foto: Driton Paçarada/KOHA

Ndihma shtetërore e ndarë nga niveli qendror, por edhe ai lokal, që nga marsi i vitit të kaluar jepet pa autorizimin dhe kontrollin e Komisionit për Ndihmë Shtetërore. Kjo, për shkak se Komisioni ka mbetur pa anëtar. Përderisa deputetë të partive opozitare thonë se pushteti po e lë jofunksional Komisionin qëllimshëm, në mënyrë që të mos ketë kontroll mbi paratë që jepen, në Vetëvendosje theksojnë se procesi i zgjedhjes së anëtarëve ka mbetur peng i opozitës që synon t’i vendosë në të njerëz partiakë

Vetëm në muajin mars, Qeveria e Kosovës ka ndarë 6 milionë euro për subvencionimin e energjisë elektrike, shumë e cila nuk ka kaluar në filtrin e Komisionit të Ndihmës Shtetërore.

Ky Komision që autorizon ndihmën shtetërore, është jofunksional që nga 7 marsi i vitit të kaluar, për shkak të skadimit të mandatit të pesë anëtarëve të tij. Prej atëherë, asnjë grant apo subvencion i ndarë nga niveli qendror, por edhe nga ai lokal, nuk është kontrolluar nga kjo instancë.

Në Zyrën e Kryeministrit dhe në Ministrinë e Financave, që nga e marta nuk i kanë kthyer përgjigje KOHËS, në pyetjet për shumën e ndihmës shtetërore që është dhënë pa autorizimin e Komisionit.

E deputeti i PDK-së, Ferat Shala, thotë se Qeveria ka ndarë kundërligjshëm rreth gjysmë miliardi euro si ndihmë shtetërore.

“Diku në total del mbi 500 milionë euro. Është dashur obligativisht të kalojnë përmes Komisionit për Ndihmë Shtetërore, të verifikohet vërtet a i plotëson kushtet dhe a është ndihmë shtetërore. Pra, një paketë kaq e madhe financiare e ndarë nga Qeveria e Kosovës nuk ka zbatuar procedurat ligjore dhe nuk ka kaluar përmes komisionit për ndihmë shtetërore”, ka thënë Shala. “Definitivisht i konvenon mazhorancës, Ministrisë së Financave dhe Lëvizjes Vetëvendosje që të mos ketë transparencë për lëvizjen e parasë. Të shkelet ligji”.

Ligji për Ndihmën Shtetërore kërkon që çdo ndihmë shtetërore e dhënë ose e zbatuar pa njoftimin dhe autorizimin e Komisionit është e kundërligjshme. Bazuar në nenin 16 të tij, ndihma e dhënë pa aprovimin e këtij Komisioni mund edhe të revokohet.

“Nëse ndihma shtetërore është dhënë pa vendimin paraprak të Komisionit, Departamenti fillon procedurat për ndihmë të kundërligjshme”, thuhet në paragrafin e parë të këtij neni.

E, në paragrafin e 6 shpjegohet procedura e revokimit.

“Komisioni urdhëron revokimin e ndihmës, në rast se vlerësohet se ndihma shtetërore nuk është në pajtim me dispozitat në fuqi për ndihmën shtetërore. Kthimi i ndihmës së kundërligjshme bëhet së bashku me një normë mesatare të interesit të përcaktuar nga Komisioni dhe llogaritet nga dita kur ndihma e kundërligjshme ka qenë në dispozicion të përfituesit, deri në datën e kthimit”, thuhet në këtë paragraf.

Dilemat mbi ligjshmërinë e dhënies së ndihmës shtetërore janë krijuar pasi Kuvendi prej kohësh nuk i ka zgjedhur anëtarët e Komisionit. Nga viti i kaluar, janë shpallur disa konkurse, por që janë anuluar më vonë. Konkursi i fundit është shpallur më 5 korrik dhe prej atëherë tre anëtarët e Komisionit përzgjedhës, deputetët Armend Muja, Ferat Shala dhe Hykmete Bajrami, nuk kanë arritur t’i zgjedhin anëtarët.

Deputetja Hykmete Bajrami fajtor për zvarritjen e procesit e ka lënë Armend Mujën, i cili e kryeson Komisionin përzgjedhës, e i cili është ligjvënës i Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet.

“Takimin e fundit si Komision të cilin tash me kërkesën e tij e kryeson deputeti Armend Muja e kemi mbajtur më 13 tetor të vitit 2022. Kemi bërë listën e ngushtë dhe prej atëherë, zoti Muja asnjëherë nuk e ka mbledhur Komisionin dhe nuk i ka caktuar datat për intervista”, është shprehur ajo.

Kryesuesi Muja nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS kur është pyetur se pse nuk ka caktuar mbledhje të Komisionit për intervistim të kandidatëve të përzgjedhur nga konkursi i fundit.

Ai ka hedhur akuza në drejtim të dy deputetëve opozitarë që janë pjesë e komisionit, Bajramit e Shalës, duke thënë se procesi nuk ka arritur të përmbyllet, shkaku i disa ndërhyrjeve politike të tyre.

“Hykmete Bajrami (LDK) dhe Ferat Shala(PDK), në kundërshtim me Marrëveshjen e Kuvendit me projektin britanik për emërime të larta, kanë vendosur që listës së të propozuarve t’i shtohen edhe kandidatë nga partitë e tyre respektive. Britanikët dhe unë ishim të mendimit se vetëm dy kandidatë i plotësonin kushtet ligjore. Arsyeja kryesore e kontaminimit të procesit është përpjekja e Hykmete Bajrami për të futur në listë F.J., asistenten dhe bashkëpartiaken e saj. Për pasojë konkursi për këta kandidatë është rishpallur”, ka thënë ai.

Por, Bajrami i ka mohuar akuzat.

“Ajo ka marrë pikë të mjaftueshme nga Komisioni britanik në atë kohë kur ka qenë edhe nga Komisioni vendor. Mirëpo, këta anëtarët e Komisionit të Ndihmës shtetërore përfundimisht votohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe z. Muja i ka rreth 57 deputetë në grupin e tij parlamentar derisa unë i takoj një grupi parlamentar që i ka vetëm 14 deputetë. Andaj, akuzat e tij janë komplet të pabaza”, ka deklaruar ajo.

Të pavërteta i ka cilësuar deklarimet e Mujës edhe deputeti i PDK-së, i cili ka thënë se po të kishte vullnet mazhoranca ta zgjidhte këtë çështje, opozita nuk e ka asnjë mundësi ta ndalojë.

“Është e pasinqertë, e pavërtetë dhe e palogjikshme, sepse nëse vullneti i mazhorancës ekziston, nuk ka fuqi juridike në këtë legjislacion që së paku ta ndërpriste apo ta ndalte zgjedhjen e këtij”, ka thënë ai.

Formimi i këtij Komisioni ishte bërë me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, të cilit i ishin dhënë kompetencat për të autorizuar skemat e ndihmës shtetërore dhe për të urdhëruar rikthimin e ndihmës nëse ajo është dhënë në mënyrë të paligjshme.