Arbëri

Avokatët: Thaçi e të tjerët duhet të mbrohen në liri

Të hënën në Hagë do të nisë gjykimi ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së – Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit – të cilët akuzohen për krime lufte. Avokatët thonë se në mënyrë të jashtëligjshme ata po mbahen në paraburgim dhe shtrojnë nevojën që të mbrohen në liri gjatë procesit gjyqësor, që, sipas tyre, do të zgjasë me vite

Avokatët kanë paralajmëruar të shtunën se do të zgjasë me vite procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët prej më shumë se dy vjetësh Gjykata Speciale i akuzon për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në Hagë, ku e ka selinë Specialja, të hënën do të nisë gjykimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.

Sipas Prokurorisë, deri tash janë paraqitur rreth 300 dëshmitarë, pa përfshirë edhe dëshmitarët e mbrojtjes dhe kjo konsiderohet si njëra ndër arsyet që do ta stërzgjatë procesin.

Avokati Florim Shefqeti thotë se, marrë parasysh edhe kohën që i është dashur Speciales t’i mbajë në paraburgim të akuzuarit, procesi gjyqësor mund të zgjasë me vjet.

“Ne konsiderojmë që kjo procedurë do të zgjasë me vjet, duke pasur parasysh të gjitha provat dhe dëshmitarët që janë propozuar, edhe nga organi i akuzës, edhe nga mbrojtja”, ka thënë Shefqeti.

E nga ky gjykim, avokati i akredituar nga Specialja, Skënder Musa, thotë se pret që të vërtetohet pafajësia e udhëheqësve të UÇK-së, ndonëse ka drojë për objektivitetin e procesit gjyqësor.

Sipas tij, më e rëndësishme se koha se sa do të zgjasë gjykimi është që ai të jetë i drejtë, meqë thekson se duhet të kihet parasysh që në Hagë janë duke u gjykuar jo vetëm ish-krerët e UÇK-së, por edhe bartësit kryesorë të institucioneve ndër vite.

“Lufta më e madhe do të jetë në sfidimin e aktakuzës, provimin e pafajësisë së të akuzuarve sepse me të vërtetë i hiqet një njollë e madhe Kosovës”, ka deklaruar Musa.

Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi ka rreth dy vjet e gjysmë që janë duke u mbajtur në paraburgim në Hagë.

Por, avokati Florim Shefqeti thotë se Gjykata duhet të ketë kujdes dhe ta trajtojë në mënyrë më serioze çështjen e pranisë së të pandehurit në procedurë, sepse, sipas tij, janë konsumuar të gjitha rrethanat në të cilat caktohet paraburgimi.

Ai thekson se vazhdimi i mbajtjes së tyre në Hagë edhe gjatë procesit gjyqësor është i pabazë dhe shkel të drejtat e njeriut. Kësisoj, ai vlerëson se masa e paraburgimit duhet të zëvendësohet me arrest shtëpiak.

“Në momentin që përfundon procedura hetimore dhe ngrihet aktakuza, Prokuroria e ka përfunduar tërë procedurën e saj për grumbullimin e provave, prandaj nuk ka asnjë arsye që mbi këtë bazë të vazhdohet paraburgimi. Normalisht që kjo paraqet shkelje të të drejtave të njeriut për faktin se ne konsiderojmë që vendimi për paraburgim dhe vazhdim të tij është i pabazë. Presim që të ndryshohet kjo masë e paraburgimit minimalisht me masën e arrestit shtëpiak”, ka thënë Shefqeti.

Ndërsa, avokati Skënder Musa vlerëson se edhe arrestimi, por edhe paraburgimi i ish-krerëve të UÇK-së është i kundërligjshëm, meqë, sipas tij, aktakuza e Prokurorisë nuk e ka dyshimin e bazuar mirë për t’i ndërmarrë këto veprime.

“Asnjë nga të akuzuarit nuk lidhen me kohën, me territorin ku pretendohet se kanë ndodhur veprat penale dhe me pozitën që kanë mbajtur. Në këtë pikë konsideroj se janë duke u shkelur të drejtat e tyre në momentin e arrestimit, në momentin e caktimit të paraburgimit dhe vazhdimit të tyre të paraburgimit – janë në kundërshtim me procedurën penale të Kosovës dhe me të drejtën e procedurës ndërkombëtare penale për shkak se nuk mund të mbahet askush në paraburgim pa ekzistuar dyshimi i bazuar mirë”, ka deklaruar Musa.

Njëjtë për aktakuzën ka vërejtje edhe Shefqeti, i cili shprehet se ajo ka përmbajtje të përgjithshme, përderisa thotë se përgjegjësia penale është individuale, çka, sipas tij, lë të besojë që nuk do të mund të faktohen akuzat dhe ka shprehur besimin se ish-luftëtarët e UÇK-së do të shpallen të pafajshëm.

Ai thotë se është i interesuar të shohë se si do të veprojë Gjykata në rast se gjatë procesit gjyqësor vërteton ndonjë krim të kryer nga serbët, meqë deri tash janë hetuar dhe akuzuar vetëm shqiptarët.

“Ne jemi shumë kuriozë të shohim se si do të veprojë Gjykata Speciale në rastin që do të mund të vërtetohet gjatë procedurës gjyqësore që një qytetar ose një subjekt i nacionaliteti serb të ketë kryer vepër penale. Qoftë një udhëheqës ushtrie, apo një ushtar ose një qytetar”, ka thënë avokati Shefqeti.

Në mesditën e 5 nëntorit të 2020-s, pas fletëthirrjeve të Gjykatës Speciale, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Veseli e Krasniqi dhe ish-shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Selimi, ishin dërguar për në Hagë, për t’u përballur me akuzat për krime lufte.

Në luftë, Thaçi mbante postin e drejtorit politik të UÇK-së, Veseli e Selimi ishin anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm, ndërsa Krasniqi ishte zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare.