Arbëri

24 vjet nga masakrat në Lybeniq të Pejës dhe në Gjakovë

Descriptive Text

Dhjetëra shqiptarë të lagjes së I-rë në Gjakovë janë masakruar nga forcat serbe në mesnatën e 1 dhe 2 prillit të vitit 1999. Në atë lagje u qëlluan dhe u dogjën të gjallë burra, gra e fëmijë.

Ndërsa po në këtë vit, më 1 prill, në fshatin Lybeniq të Pejës në orët e hershme të mëngjesit, formacionet ushtarake, policore, militare dhe paramilitare e kishin rrethuar në të gjitha anët këtë fshat dhe vranë burrat aty.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar të rënët. Ka thënë se asnjëherë nuk do të harrohen njerëzit që me jetët e tyre “iu bënë mburojë kësaj toke”.

“Më 1 prill 1999, në Lybeniq të Pejës forcat barbare ekzekutuan të gjithë burrat që kishin gjetur në fshat. Ata u vranë vetëm pse e ëndërruan lirinë e Atdheut. Në këtë ditë ndajmë thellësisht dhimbjen me familjarët e të gjithë të rënëve të ngjarjeve që nisën më 1 prill dhe vazhduan edhe në ditët në vijim në fshatrat përreth, në të cilat regjimi i atëhershëm mori jetën e shumë civilëve të pafajshëm shqiptarë. Gjithashtu sot me përulje të thellë, kujtojmë martirizimin e dhjetëra vëllezërve e motrave tona në Gjakovë. Kujtojmë familjen që u shua pa lënë pasardhës, familjen e Januz Canës. Kujtojmë gjithë ata që u sakrifikuan në shtëpinë e familjes Vejsa dhe në pjesët e tjera të Gjakovës”, ka shkruar Haradinaj.