Arbëri

Ambasadorët shohin shenja pozitive në dialog, do të ketë pasoja nëse marrëveshjet nuk zbatohen

Ambasadori i Francës në Kosovë dhe ai i Gjermanisë, janë shprehur optimist sa i përket procesit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe dakordimeve të arritura mes palëve muajin që shkoj dhe këtë muaj.

Në diskutimin me temën “Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, të organizuar nga Qendra Mediale në Çagllavicë, ambasadori francez në Prishtinë, Oliver Guerot, ka thënë se në këto momente palët janë në një udhëkryq të rëndësishëm që ka potencial të zhvillohet. Ai ka theksuar se pas një periudhe të gjatë kohëve të fundit në procesin e dialogut ka shenja pozitive.

Ai ka folur edhe për dakodrimin e palëve në Bruksel më 27 shkurt për Planin evropian si dhe aneksin e zbatimit për të cilin palët u dakorduan në Ohër më 18 mars.

“Të dy marrëveshjet janë një arritje e madhe dhe udhëheqësit ishin të suksesshme, pavarësisht se nuk u nënshkrua, marrëveshja është obliguese dhe detyruese për Kosovën e Serbinë dhe presim nga dy vendet që t’i zbatojnë ato. Do të ketë pasoja nëse nuk zbatohen dhe nuk përmbushet dinamika e përcaktuar”, është shprehur Guerot.

Guerot: Asociacioni hapi i parë që duhet përmbushet

Ai ka theksuar se presim “që të lansohet vendimi për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, siç janë dakorduar”. “Ky është hapi i parë që duhet përmbushur”, ka theksuar Guerot.

Sipas tij tensionet në veri kanë goditur njerëzit e rëndomtë, prandaj ka thënë se është në interesin e tyre që të vazhdojë kjo dinamikë, në mënyrë që marrëveshja të zbatohet. “Kjo do të bënte më të lehtë jetën e serbëve në veri”, ka thënë ai.

Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, është shprehur optimist për procesin e dialogut. Sipas tij pas takimit të radhës në nivel të kryenegociatorëve, do të kuptohen detajet se si do të zbatohet marrëveshja e dakorduar.

“Jam optimist sepse kemi parë intervale të takimeve në Brukse e Ohër. Javën e ardhshme mund t’i dimë detajet. Kemi parë kohët e fundit në konferencën e sigurisë ku Scholzi u dha porosi të qarta Vuciqit e Kurtit. Pastaj letra e amerikanëve. Prandaj tani është koha e vendimeve të mëdha, tani kemi marrëveshjen dhe duhet të zbatohet ajo. Na duhet vullnet politik për ta zbatuar dhe takimi i javës së ardhshme do t’i dimë bazat”, është shprehur ai.

Ndërsa analistja Milica Andriq Rakiq, ka thënë se mesazhet që po dërgohen nga bashkësia ndërkombëtare sinjalizojnë se ndërmjetësuesit nuk janë të bindur se marrëveshja do të zbatohet shpejtë dhe me lehtësi. “Nuk ishte e mençur të shpallej aneksi deri të përkufizohej zbatimi i tij. E vështirë të parashihet se çka do të ndodhë. Çështje shumë e vështirë dhe negociata të vështira, dhe nuk e shoh problem që ato të jenë sekrete. Por në terren gjërat realizohen me vështirësi. Veriut nuk i është kumtuar rezultati i dialogut”, ka theksuar ajo.

Sipas saj tensionet nuk ka zbutje të tensioneve në terren dhe deklaratat e zyrtarëve nuk janë premtuese.

Peci: Marrëveshja bazë mund të prodhojë konflikte

Ndërsa drejtori i KIPRED-it, Lulzim Peci, është shprehur skeptik së marrëveshja do të mund të zbatohet.

“Kemi mbetur prapa dhe kemi arritur deri aty saqë në situata të caktuara ta rrezikojmë edhe sigurinë rajonale, këtu i referohem raportit Kosovë-Serbi. Kurti e Vuciqi kanë qëllime të kundërta dhe duan të humbin kohë. Kjo më bënë skeptik se do të zbatohet marrëveshja. Edhe nëse zbatohet shija politike do të jetë e rëndë që marrëveshja të zbatohet në tërësi”, ka theksuar Peci.

Ai ka thënë se duhet kalim i hapit të madh drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve. “Nëse mendojmë që në këtë formë siç jemi tani mund të ecin, do të jetë e vështirë. Kam qenë më optimist. Sa i përket rolit ndërmjetësues të BE-së mendoj se aneksi nuk është sa duhet i qartë dhe kjo po i jep hapësirë keqinterpretimeve të marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe pastaj asaj në Ohër. Kam frikë se si është duke shkuar mund të reflektohet edhe në rritjen e tensioneve etnike sepse dy popujt i kanë pritjet e veta nga dialogu. Nëse këto pritje nuk e kanë një emërues të përbashkët të jetës paqësore në këtë vend, kjo marrëveshje ka mundësi të na kthehet bumerang dhe të prodhojë konflikte”, ka theksuar Peci.