Arbëri

FDH-ja kërkon shtim të kapaciteteve për hetim e gjykim të krimeve të luftës

Amer Alija, koordinator i Fondit në Kosovë, ka thënë se policia, gjyqësori e prokuroria duhet t’i rrisin kapacitetet njerëzore e profesionale. Gjatë diskutimit për raportin u përmendën probleme të shumta në trajtimin e rasteve të krimeve të luftës. Gjatë vitit 2022 janë arrestuar pesë persona për krime lufte, derisa Prokuroria Speciale ka ngritur tri aktakuza

Puna e institucioneve është vlerësuar pa ndonjë përparim të dukshëm në lidhje me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës, në raportin e publikuar të enjten nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

Amer Alija, koordinator i Fondit në Kosovë, ka thënë se policia, gjyqësori e prokuroria duhet t’i rrisin kapacitetet njerëzore e profesionale.

“Është e domosdoshme që të organizohen trajnime të rregullta dhe përmbajtjesore për zhvillimin profesional të prokurorëve dhe të gjyqtarëve… Në njësitë për hetimin e krimeve të luftës në kuadër të Policisë së Kosovës duhet të përzgjidhen hetuesit policorë të cilët kanë njohuri të gjuhës serbe dhe asaj angleze. Këshilli Prokurorial duhet t’i përzgjedhë edhe katër prokurorë në kuadër të Departamentit për Krime Lufte të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës”, ka thënë Alija.

Gjatë diskutimit për raportin u përmendën probleme të shumta në trajtimin e rasteve të krimeve të luftës. Shefja e Departamentit të Prokurorisë Speciale për Krime Lufte, Drita Hajdari, tha se vështirësia kryesore e prokurorëve është te sigurimi i provave materiale. Shumica prej të cilave, sipas Hajdarit, i ka misioni i UNMIK-ut dhe Mekanizmi për Tribunalin e Krimeve në Hagë. E si trupa të OKB-së, që nuk e njohin Kosovën shtet, nuk i kanë dhënë qasje direkte Prokurorisë Speciale të Kosovës në prova.

“Shumica e kryerësve të veprave penale të krimeve të luftës gjenden në Serbi, mirëpo kini parasysh se shumica e provave materiale gjenden në Tribunalin e Hagës, atje janë rreth 11 milionë prova të ndryshme, nuk po them që të gjitha i referohen Kosovës. Prokuroria Speciale duhet t’i drejtohet Ministrisë së Drejtësisë me kërkesë për sigurimin e provave, Ministria e Drejtësisë e përcjell këtë kërkesë në Zyrën e BE-së në Prishtinë, Zyra e BE-së pastaj e adreson në Tribunalin e Hagës. Kjo ka të bëjë me statusin e Kosovës”, ka thënë Hajdari.

Si vërejtje në raport ishte edhe mosgjykimi për më shumë se tre vjet i katër rasteve për krime lufte në Gjykatën Themelore në Mitrovicë. Gjyqtari i Departamentit Special të Themelores në Prishtinë, Kujtim Krasniqi, u shpreh se këto lëndë pritet t’i kalojnë Prishtinës.

“Nuk mund të them saktësisht se a kanë ardhur apo jo këto lëndë në Departamentin Special, por sipas një informacioni që kemi, ato do të barten në Departamentin Special në Prishtinë. Nuk e di saktë a kanë ardhur apo jo, por Këshilli ka një angazhim që t’i bartë ato”, ka thënë Krasniqi.

Rekomandim i raportit është edhe bashkëpunimi juridik ndërkombëtar me Serbinë, pasi që në këtë vend besohet se ndodhen shumica e kryerësve të krimeve gjatë luftës në Kosovë.

“Bashkëpunimi është një nga mënyrat e ndjekjes së suksesshme të krimeve të luftës, por edhe i realizimit të së drejtës për viktimat e krimeve të luftës. Mungesa e bashkëpunimit dhe e shkëmbimit të informatave mes organeve të hetuesisë së Kosovës dhe të Serbisë ndikon në mosefikasitetin e ngritjes së aktakuzave për krimet e luftës”, thuhet në raport.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, 72 persona janë dënuar për krime lufte nga gjykatat në Kosovë, por numri i personave të përfshirë në masakra vlerësohet të jetë shumë herë më i madh. Në Kosovë janë vrarë mbi 10.000 civilë, shumica prej të cilëve shqiptarë.

Gjatë vitit 2022, sipas Raportit të FDH-së, janë arrestuar pesë persona për krime lufte dhe janë ngritur tri aktakuza.