Arbëri

Përplasje në Komisionin për Ekonomi mes deputetëve dhe Bordit të ZRRE-së

Kërkesa e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për tarifat e reja e që e shtrenjtojnë rreth 15 për qind faturat e energjisë elektrike, ka qenë temë diskutimi ndërmjet kryesuesit të Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu dhe deputetit të AAK-së, Pal Lekaj, në Komisionin parlamentar për Ekonomi. 

Lekaj e konsideron si të papranueshme dhe të dëmshme për qytetarët kërkesën për shtrenjtim të energjisë elektrike, përkundër thotë të pagave të ulëta.

“Ajo që vërejta në pikën 31 rregullat për konsumatorët, deri ku ka mbërri kjo se si është gjendja aktuale dhe sa për qind kemi treg të lirë në Kosovë, dhe shihet se shumë pak kemi konkurrencë. Kjo po i dëmton shumë konsumatorët, në vitin 2022 kur e keni ngrit faturat, pastaj keni shkuar në ngritje enorme që i ka atakuar qytetarët. Sot në vitin 2023 prapë mendoj që të vini deri të ngrita e çmimit dhe është e pakuptimtë dhe nuk e keni marr për bazë farë pagat e ulëta, po e bëni një gabim trashanik që po vini te shtrenjtimi i energjisë”, u shpreh Lekaj, teksa e pyeti edhe për “Elektroseverin”.

“Kur jemi te marrëveshja e Kosovë dhe Serbisë për ‘Elektroseverin’, ku ka mbetur ajo marrëveshje, ku ka shkuar shuma deri 100 milionë euro që ne po paguajmë për qytetarët që nuk e paguajnë. Kjo është shqetësuese”, tha Lekaj.

I pyetur se a do të paguajnë qytetarët më shtrenjtë për veriut nëse hyjnë në fuqi tarifat me rritje, Fejzullahu ka thënë se prej 2018 qytetarët nuk paguajnë për atë pjesë.

“Deri në 2018 kostoja e veriut ka qenë e përfshirë në kuadër të tarifave të konsumatorëve. Nga viti 2018 ajo kosto nuk është e përfshirë në tarifat e konsumatorëve dhe si e tillë nuk hyn. ZRRE-ja edhe sikur të don me e përfshi nuk ka të drejtë meqenëse ka një vendim të Gjykatës. Prandaj tarifat që janë të propozume për këtë vit, vitin e kaluar edhe prej vitit 2018, asnjëherë, asnjë cent, asnjë kosto nuk është e përfshirë në kuadër ta kalkulimit të tarifave në kuadër të rregullatorit”, i është përgjigjur ai pyetjes së deputetit Pal Lekaj.

Fejzullahu ka thënë se ZRRE-ja e ka respektuar pjesën e tyre, sa i përket marrëveshjes Kosovë-Serbi për energjinë.

Sipas Fejzullahut, pikat tjera janë përgjegjësi e palëve të tjera për t’i plotësuar.

“Një prej pikave që ka qenë obligim i ZRRE-së, ne e kemi përmbush. Ajo ka qenë dhënia e licencës konform Marrëveshjes së Brukselit. Ndërsa pikat tjera janë obligime për palë tjera. ZRRE-ja si palë mbështetëse në këtë rast e grupit negociator është duke i kryer obligimet e saj karshi kësaj marrëveshje. Ndërsa palët tjera mbetet që t’i kryejnë obligimet siç është përcaktu në udhërrëfyes”, ka thënë ai gjatë raportimit përpara Komisionit për Ekonomi.

Deputeti i LVV-së, Driton Hyseni ka thënë se performanca jo e mirë e operatorëve të energjisë ka ndikuar në rritjen e tarifave të energjisë elektrike.

Hyseni ka kërkuar informacione nga Bordi i ZRRE-së në lidhje me masat që kanë paraparë në rast se vazhdon kriza energjetike në vend.

“Performanca e operatorëve ka qenë jo e mirë prandaj janë gjobitur operatorët. Tani kjo po bie në barrë të qytetarëve me rritjen e çmimit të energjisë. A keni skenarë tjerë që mund të aplikoni në rast vazhdimi të krizës në vend? Rishqyrtimi i tarifave është puna më e lehtë dhe që me më së qejfi po e bënë ZRRE”, tha ai.

Por, pretendimet e deputetit Hyseni i kundërshtoi kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu.

Ai tha se shtrenjtimi i tarifave të energjisë po bëhet për shkak se është rritur kostoja e importit.

“Në rritjen e tarifave ka ndikuar kosto e importit e cila është më e lartë se që është parashikuar. Menaxhimi i krizës i takon Ministrisë së Ekonomisë. Operatorët tjerë bashkë me rregullatorin janë pjesë e komitetit dhe ne do ta ofrojmë gatishmërinë tonë në menaxhimin e krizave”, deklaroi ai.

Bordi i ZRRE-së, në mbledhjen e cila është paraparë të mbahet sot në orën 15:00, pritet të marrë vendim për tarifat e reja të energjisë elektrike që do të rriten rreth 15 për qind. /EO