Arbëri

Masakra e Belegut - burrat torturoheshin para se të vriteshin

Në Beleg të Deçanit, 24 vjet më parë, forcat serbe masakruan 49 shqiptarë dhe 40 të tjerë i zhdukën me dhunë. Nurishahe Vishaj dhe banorë të tjerë të fshatit prej atëherë janë në kërkim të më të dashurve të tyre. Si për të tjerat masakra, me mijëra të vrarë e të zhdukur, edhe për atë të Belegut institucionet ndërkombëtare dhe ato të vendit nuk kanë mundur t’i sillnin para drejtësisë kryerësit e tyre

Nurishahe Vishajt nga Belegu i Deçanit i është zhdukur me dhunë djali, 24 vjet më parë, dhe ende nuk di gjë për fatin e tij. Ajo mban fotografinë e Fatonit, që në kohën e zhdukjes ishte 16 vjeç, teksa rrëfen për ditën kur janë rrethuar nga forcat serbe. Tregon se si ajo dhe disa banorë të tjerë të fshatit u detyruan me dhunë të braktisnin shtëpitë dhe të niseshin drejt Shqipërisë.

“Vjehrri, vjehrra kanë mbetur me fëmijë. E ne në Shqipëri e kemi marrë lajmin që djali s’është. Edhe këta dy të tjerët (dy djemtë e saj tjerë) kanë qenë me të. I kanë nda, ai ka qenë i zhvilluar”, rrëfen Vishaj.

Në Beleg të Deçanit, 24 vjet më parë, forcat serbe masakruan 49 shqiptarë, ndërsa 40 të tjerë nuk u gjetën asnjëherë. Nëna, së cilës nga djali Fatoni i ka mbetur kujtim vetëm një xhaketë, thotë se sikur eshtrat t’i gjendeshin do të ndihej më e lehtësuar.

“Me kanë me ditë të paktën ata eshna me ia gjetë, e me ditë ku i ka, përgjyst kësaj mërzie i kisha ra. Qeshtu pa ditë diqysh, diçka më i vogël me të hup më mbesin sytë tu e lyp, diçka çka të hup, e le ma evladi", thotë nëna, së cilës i mbushen sytë me lot.

Fatonin nëna e kujton si djalë guximtar.

“Ju çojke bukë UÇK-së, e pyetshim ku po e çon bukën, na thoshte ‘po i ha vetë’. E ne i thoshim ‘jo ti këta bukë s’po e han’. Kurrë nuk ka tregu, ka qenë i fortë e besnik”.

Nurishahja thotë se nuk ka pasur mbështetjen institucionale në përpjekjen për ta kërkuar djalin e zhdukur me dhunë gjatë luftës.

"Pak para zgjedhjeve vjen dikush t'i merr dy-tri fjalë, mo tjetërkush s'ju vjen mas. Kqyre mas shpine çka u ba, krejt këta njerëz janë të nënave, motrave, fëmijëve tyne, diçka ma tepër asnjë sen", është shprehur Nurishahja.

E Tushe Vishaj e ka të zhdukur me dhunë bashkëshortin, Mujën. Ajo tregon se si u torturuan burrat e fshatit nga serbët, përpara se të vriteshin e të zhdukeshin.

“Ja kanë nisë me i djeg shpijat krejt dhe në fund kanë ardhë dhe e kanë gjujtë qeta (shtëpinë e saj). Dhe prej frikës që po na kap flaka jemi dalë për dere se na kanë marrë krejtve na kanë qitë me fëmijë edhe tanë i kanë marrë t’u i rreh. Kah janë dalë i kanë rreh këmbëve, shpinës, ku mujshin sjellshin”, tregon Tushja për natën e tmerrit të përjetuar.

Tushja thotë se forcat serbe burrat që i kanë mbledhur i kanë ndarë në grupe. Tregon se disa mbijetuan, ndërsa për burrin e saj dhe disa të tjerë të ndaluar thotë se nuk dihet ende asgjë.

“Sot e atë ditë ne nuk dimë për fatin e tyre. Kemi ardhë, kemi lyp gjithkah, asnjë send, asnjë shenjë nuk dihet e tyne ku është”, u shpreh ajo.

Beqir Molliqi është dëshmitar i masakrës. Ai tregon se 24 vjet më parë është marrë nga forcat serbe dhe me burra të tjerë të fshatit është dërguar në një bodrum, ku para se të ndaheshin në grupe u ishin nënshtruar torturave.

“Deri në gjysmë të ditës na kanë mbajtur këtu (bodrum), pastaj na kanë qitë në bahçe, ishte dukë rënë shi e na është dashtë me nejtë ulë në tokë. Na kanë hallakat trupit as nuk na kanë lënë pare as asgjë. Edhe fëmijët bebe i kanë zgjidh dhe i kanë hallakat mos kanë të fshehura pare”, thotë Molliqaj, teksa shton. “Qetu janë mbetë 37 vetë, të thotë dikush jo 40 e jo 50. 37 saktë i ki që kanë mbetë qetu. Vetëm një është gjetë me dokumente qysh duhet që ja kanë bo analizat, tjerët s’di kurgjë për ta”, ka thënë Molliqaj.

Në Prokurorinë Speciale nuk kanë dhënë asnjë informacion për mungesën e rezultateve në hetimin dhe ndjekjen e kryerësve të krimit. Të pandriçuara e pa përgjigje nga drejtësia kanë mbetur edhe shumë masakra tjera të forcave policore-ushtarake e paramilitare serbe, me mijëra të ekzekutuar e të zhdukur.