Arbëri

Katër shtete të Ballkanit Perëndimor lansojnë nismë në Shkup

Descriptive Text

Nisma e katër shteteve të Ballkanit Perëndimor – Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, të cilat kanë rreshtuar 100 për qind politikën e Jashtme dhe të Sigurisë me atë të BE-së – QUAD, u lansua të mërkurën në Shkup.

Kjo nismë u organizua nga ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

“Ky kuadrat i shteteve vijon të përafrojë në vazhdimësi dhe të përditësojë çdo politikë të Jashtme e të Sigurisë së BE-së dhe ShBA-ve, veçanërisht në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, si rrjedhojë e agresionit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Sipas njoftimit, shtetet me qëndrim të tillë do të vijojnë komunikimin dhe bashkëpunimin në funksion të mirëmbajtjes së kësaj trajektoreje përafruese me botën perëndimore.

“Krahas nikoqirit, ministrit Osmani, pjesë e nismës ishte zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, z. Kreshnik Ahmeti, ministrja për Evropë dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë, znj. Olta Xhaçka, dhe këshilltari për Politikë të Jashtme i Malit të Zi, z. Gjorgje Radulovic”, është thënë më tej në njoftim.