Arbëri

Kurti: Kemi nevojë për zbatim të saktë e sa më të shpejtë të marrëveshjes

Albin Kurti - deklarata

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar se takimi i radhës në nivelin e dialogut Kosovë – Serbi do të zhvillohet më 4 prill në Bruksel. Ai ka thënë se do të ketë takim në nivel të kryenegociatorëve.

“Më 4 prill në Bruksel do të diskutohen çështjet e zbatimit të marrëveshjes që tashmë është dakorduar. Ka marrëveshje, ekziston marrëveshja dhe është shumë e qartë e publike për të gjithë. Kemi nevojë për zbatim të saktë e të shpejtë të saj. Prandaj do të organizohet një takim në nivel të kryenegociatorëve”, ka thënë Kurti për gazetarë pasi mori pjesë në lansimin e projektit “Përafrimi i ligjeve dhe politikave me Konvetën e Stambollit”, ka deklaruar Kurti.

I pyetur në lidhje me deklaratat, përfshirë ato të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, se themelimi i Asociacionit është urgjencë, Kurti ka thënë të mos merren për bazë deklaratat politike, pasi marrëveshja është e qartë dhe duhet zbatuar e tëra.

“Marrëveshja duhet zbatuar e tërë. Nuk ka mundësi që diçka të zbatohet e diçka jo. Siç nuk mund të ketë nënshkrim të njëanshëm të marrëveshjes e aneksit, ashtu s’mund të ketë as zbatim të njëanshëm të tyre. Marrëveshjen nuk duhet copëtuar me marrë pjesët e preferuara. Te fjala që thatë ju ‘urgjencë’, ajo është pikërisht te fjalia që ka të bëjë me të pagjeturit, të zhdukurit me dhunë. Lexojeni tekstin. Deklaratat politike të kujtdo qoftë janë për t’i shërbyer procesit. Por, tash kemi marrëveshje nuk kemi nevojë me vendos asnjë deklaratë apo prononcim publik politik të ndokujt mbi tekstin e marrëveshjes bazë apo aneksit të zbatimit. Fjala ‘urgjencë’ është vetëm te fjalia për të pagjeturit”, tha Kurti.