Arbëri

Konjufca takohet me Nancy Pelosi, shkëmbejnë pikëpamje për forcimin e bashkëpunimit

Kryeparlamentari Glauk Konjufca është takuar me ish-Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e cila i kishte pritur në Kongresin Amerikan.

Në postim në Facebook, është thënë se me Pelosin janë shkëmbyer pikëpamje për zhvillimet në rajon.

“Takim tejet miqësor me ish-Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve dhe miken e kahmotshme të Kosovës, zonjën Nancy Pelosi, e cila na mirëpriti në Kongresin Amerikan. Me Kongresisten Pelosi shkëmbyem pikëpamje për zhvillimet në rajon dhe arenën ndërkombëtare, forcimin e bashkëpunimit dypalësh, rëndësinë e avancimit në proceset euroatlantike dhe vazhdimin e mbështetjes së Republikës së Kosovës nga aleati dhe partneri ynë strategjik - Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nënvizuam faktin se popujt dhe shtetet tona ndajnë të njëjtat vlera dhe parime të lirisë e demokracisë, dhe se çdo ditë e më tepër po i zgjerojnë fushat e bashkëpunimit të ndërsjellë. Kosova dhe populli ynë janë të bekuar që kanë miq kaq të mrekullueshëm e të çmuar si Kongresistën Pelosi dhe përkrahjen e pakursyer të Shteteve të Bashkuara. Thellësisht mirënjohës dhe falënderues”, ka shkruar Konjufca.