Arbëri

Rreth gjysmë milioni euro do të kushtojë organizimi i zgjedhjeve në veri

Descriptive Text

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, deklaroi se sipas planifikimeve, rreth 500 mijë euro pritet të kushtojë procesi i zgjedhjeve lokale në veri, që do të mbahen më 23 prill.

Ai deklaroi të martën në “SOT” të KTV-së se në këtë shumë është planifikuar edhe raundi i dytë eventual i zgjedhjeve, por që e gjitha kjo do të dihet në fund të procesit.

Elezi theksoi se për kryetarë komunash kanë aplikuar 11 kandidatë, e rreth 60 për asamblistë të komunave serbe. Procesi i aplikimit tha se ka përfunduar, e tash po zhvillohet faza e aplikimit të vëzhguesve të zgjedhjeve.

“Gjatë 2022-s, KQZ-ja i kishte certifikuar 11 kandidatë në garë dhe mbi 60 për kuvende komunale. Për këto subjekte KQZ-ja s’ka zhvilluar proces të ri aplikimi në mars, por vetëm ka marrë konfirmim të aplikimit. Afatet për aplikim të vëzhguesve po vazhdojnë dhe aplikimi nga subjektet politike ka filluar më 10 mars deri më 17 prill. Për media, organizata, aplikimi ka nisur më 10 mars dhe do të mbyllet më 18 prill (40 ditë afat)”, deklaroi ai.

Zëdhënësi i KQZ-së tha se ende s’e kanë shifrën finale të qytetarëve me të drejtë vote në këto zgjedhje, por në regjistrimet e fundit të këtij institucioni ishin evidentuar rreth 45 mijë votues.

Për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, Lisa Serbe s'ka aplikuar për pjesëmarrje.