Arbëri

Dëshmitari pretendon se babai i tij u keqtrajtua nga Pjetër Shala

Dëshmitari i parë i prokurorisë, në gjykimin kundër Pjetër Shalës, është një dëshmitar i mbrojtur i cili pretendon se i akuzuari e kishte mbajtur babanë e tij në një fabrikë metali në Kukës dhe kishte ushtruar dhunë ndaj tij.

Fillimisht dëshmitari i mbrojtur ka thënë se, në maj të vitit 1998, disa persona kishin shkuar në shtëpinë e tij me kërkesën për dorëzimin e armëve.

Ai ka pretenduar se në mesin e tyre ka qenë edhe Pjetër Shala. Këtë ka thënë se nuk e kishte parë vetë, por e kishte mësuar nga babai dhe fqinjët.

Sipas tij, disa prej atyre personave ishin me uniformë që mbante emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa të tjerë në rroba civile.

“Ata dy që kanë qenë në oborr kanë qenë me emblema, kurse ata të tjerët që kanë qenë te gardhi i shtëpisë nuk kam mundur t’i identifikoj, largësia ka qenë 20 deri në 25 metra. Ka qenë shenja e UÇK-së. Babanë e kemi mbyllur në dhomë për të mos ardhur deri te më e keqja e mundshme. Kemi urdhër (na thanë) nga Lahi Ibrahimi që t’i dorëzoni armët dhe të vijë në shtabin e Jabllanicës”, ka thënë dëshmitari.

Sipas dëshmitarit, babai i tij nuk ishte larguar atë ditë. Ai ka thënë se dy persona ishin futur në oborr, ndërsa të tjerët kishin qenë jashtë. E në mesin e tyre ai pretendon se ka qenë edhe Pjetër Shala. Këtë, ai ka thënë se e ka mësuar nga babai dhe fqinjët.

Dëshmitari: Personat që kanë qenë në oborr i kam njohur me emër dhe kështu që janë prezantuar, gjëja që me urdhër të shtabit. Më vonë ndërkohë, sipas informatave përmes komshinjve, përmes ish-luftëtarëve të UÇK-së, kam mundur të informohem që ka qenë Pjetër Shala, me pseudonimin ‘Ujku’.

Prokurori Deminiqes: Si e mësove që ai ishte në mes të atyre ndjerëve të atij grupi, kush ta ka treguar fillimisht këtë?

Dëshmitari: Fillimisht, pasi që babin tim e kanë mbajtur për disa kohë në Kukës, në fabrikën hekuriste, aty Pjetër Shala personalisht në babin tim ka ushtruar dhunë, forcë, elektroshok, bishta të sakicave, dhe rrahje masive me gjithë të ndaluarit e tjerë së bashku.

Prokurori Deminiqes: Si e more vesh që Pjetër Shala ishte pjesë e grupit që ka ardhur të shtëpia e juaj atë ditë në maj të vitit 1998?

Dëshmitari: Kanë qenë disa komshinj, kur kanë ardhur aty u kanë thënë këtyre çka po kërkoni këtu, çka po doni, këta që kanë qenë aty, ushtria, u kanë thënë largohuni andej, dhe aty e kanë identifikuar se është Pjetër Shala. Kur unë jam interesuar për rastin kush ka mundur të jetë, është Pjetër Shala.

Por një gjë të tillë ky dëshmitar nuk e kishte thënë edhe në vitin 2010, gjatë dëshmisë që i kishte dhënë Tribunalit Penal për ish Jugosllavi.

Prokurori Deminiqes: A ju kujtohet që t’i keni dhënë dëshmi Tribunalit penal për ish jugosllavi në vitin 2010?

Dëshmitari: Po.

Prokurori Deminiqes: Kur po përgatitesha për dëshminë tuaj, e lexova këtë deklaratë dhe vërejta që në atë kohë nuk e keni përmendur këtë informacion që po na thoni sot, që Pjetër Shala ka qenë një nga personat që ka ardhur të shtëpia e juaj. A ka ndonjë arsye të veçantë që ju bën të mundur që ju të ju kujtohet sot një gjë e tillë, ndërkohë që ky emër nuk është pjesë e asaj deklarate?

Dëshmitari: Faktikisht kur u përball me babanë tim në Kukës, i ka thënë të gjitha në sy babait tim, për një lokal që e kemi pasur para lufte, ushqimor, i ka thënë që unë e kam gjetur lokalin, unë kam qenë në shtëpi, pse nuk na prite kur erdhëm të ftuam me të marrë armët dhe ty. Dhe dhunën që e ka shkaktuar me gjithë shokët e tjerë në Kukës, një brutalitet çka është jashtë njerëzores.

Gjykatësja Foglia: Zotëri dëshmitar ju lutëm përgjigjuni pyetjes së prokurorit, ai pyeti pse nuk e keni përmendur emrin e zotit shala në dëshminë që keni dhënë Tribunalit të Hagës, kjo ishte pyetje që ishte bërë.

Dëshmitari: Nuk po di veç nëse ka qenë edhe për të tjerët, atëherë nuk ka qenë e domosdoshme, ndoshta prej hetuesve, për me cek emrin e tij sepse kanë qenë pjesë të ndara gjykimet, kam marrë pjesë edhe në gjykime të tjera. Po them kjo ndoshta mundet me qenë arsyeja.

Tutje, seanca ka vijuar me përmbajtje të redaktuar, pasi prokurori pyeti dëshmitarin se çka i kishte thënë Pjetër Shala babit të tij në atë kohë.

Pas një pjese të mbyllur të seancës, dëshmitari ka thënë se babai i tij ishte kidnapuar dhe dërguar në Fabrikën e Metalit në Kukës.

Sipas dëshmitarit, ai ishte kthyer në shtëpi rreth dy javë më vonë.

Dëshmitari: Babai është keqtrajtuar në Fabrikën e Metalit në Kukës

“Kur e sollën shërbimi sekret, gjendja e tij ka qenë e tmerrshme, nuk kish çka me na tregu, e kemi parë vet. Të nesërmen kanë filluar bisedat kohë pas kohe. Ka treguar për tmerrin që i është bërë atje, dy ditë është mbajtur në qendrën Ramallak, dhe pas dy dite e kanë dërguar në Kukës, në fabrikën e metaleve ku aty është bërë një dhunë që nuk bëhet, jo veç ndaj babit tim, por të gjithë të burgosurve të tjerë që i kanë mbajtur aty. Baba kur ka shkuar për Kukës me katër persona ka shkuar, me të burgosur, vetë i katërti ka qenë, kështu sipas babës”, ka thënë dëshmitari.

Sipas dëshmitarit, gjatë mbajtjes në Kukës, babait të tij i ishte kërkuar të pranonte se kishte vrarë 100 persona.

Dëshmitari i mbrojtur ka thënë se babai i tij ishte keqtrajtuar nga Pjetër Shala, Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi.

Dëshmitari: Pyetje, fjalë, i ke vra 100 persona, ke dhunuar, të cilat i dinë ata, dhe dhunë, nënshkruaje prano që i kë vra 100 persona. Babai im a ka thënë qiteni vetëm një dhe të tjerët i pranoj unë. Duke dashur të nënshkruaj me dhunë një diçka që nuk e ka bërë.

Prokurori Deminiqes: Na thatë emrat e disa personave të cilët ishin të ndaluar me babin tuaj. A ka përmendur ndonjëherë babai juaj emrat e këtyre personave të cilët e kanë ushtruar këtë dhunë dhe kanë bërë këto pyetje?

Dëshmitari: Sabit Geci, Xhemshit Krasniqi, Pjetër Shala, me njerëz të tjerë që nuk u ka ditur emrat.

Dëshmitari ka thënë se këto ngjarje kanë ndikuar negativisht në jetën e tij dhe të familjes derisa ka theksuar se babai i tij nuk jeton më.

Ky është dëshmitar i parë i ZPS-së në gjykimin kundër Pjetër Shalës.

Shala po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. /KSP