Arbëri

Presidentja e Greqisë: Qëndrimi për Kosovën mbetet i njëjtë

Serbia është një partner kyç për Bashkimin Evropian dhe integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është një objektiv strategjik i politikës së jashtme të Athinës, ka thënë presidentja e Greqisë, Katerina Sakelaropoulou.

Por ka shtuar se Greqia nuk e ka ndryshuar qëndrimin për Kosovën.

Ajo ka thënë se: “Qëndrimi i Greqisë, një nga të paktët anëtarë të BE-së që nuk e njohu pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës, mbetet i njëjtë”, shkruan Politika.rs.

“Në të njëjtën kohë, Greqia, përveç qëndrimit të saj të njohur për statusin e Kosovës dhe besnike ndaj politikës së saj në Ballkanin Perëndimor, ndjek një qasje pragmatike dhe konstruktive në raport me Kosovën, e cila synon forcimin e stabilitetit dhe sigurisë, si dhe një lëvizje e përgjithshme drejt integrimit në BE të të gjithë rajonit, që dhe është synimi ynë strategjik”, ka thënë ajo.

Ka shtuar se politika greke ndaj Kosovës është në përputhje me pozicion e mëhershëm dhe sipas saj promovon zhvillimin dhe forcon stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.

“Në këtë drejtim, ne mirëpresim progresin e arritur në dy takimet në Bruksel dhe Ohër me marrëveshjen e arritur mes dy palëve, si dhe për aneksin e zbatimit. Greqia është e gatshme të mbështesë Beogradin dhe Prishtinën në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve të tyre dhe të kontribuojë në përpjekjet ndërkombëtare për të përmirësuar sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin për popujt e rajonit”, ka thënë ajo. "Ne besojmë fuqimisht se është shumë e rëndësishme që populli serb të shohë se ne ndajmë një të ardhme të përbashkët, në familjen e BE-së, dhe kjo është arsyeja pse ne duhet ta formojmë atë së bashku”.

Ajo ka thënë se Bashkimi Evropian u krijua si një projekt vizionar i paqes dhe prosperitetit.

“Një projekt që do të nxiste integrimin ekonomik dhe politik. Bashkimi Evropian i sotëm është rezultat i asaj zgjedhjeje fillestare që ne si evropianë duhet ta mbrojmë. Ne duhet të vazhdojmë të përpiqemi pa u lodhur për të siguruar paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm për të mirën e popujve tanë”, ka shtuar ajo.

Ka deklaruar se është e pamundur të imagjinohet Evropa pa rajonin e saj juglindor.

Sipas saj, integrimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është një investim reciprokisht i dobishëm i natyrës strategjike, si për vendet anëtare të BE-së, ashtu edhe për partnerët e Ballkanit Perëndimor.