Arbëri

Shqipëria i kërkon Britanisë t’i amnistojë emigrantët që punojnë ndershëm

Shqipëria ka kërkuar nga Mbretëria e Bashkuar që t’i amnistojë shqiptarët që kanë hyrë pa viza në Britani të Madhe, por që s’kanë të kaluar kriminale e punojnë ndershëm.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi, kërkesën ia ka bërë sekretares britanike të Punëve të Brendshme Suella Braverman të shtunën.

“Me homologen britanike Suella Braverman diskutuam mbi bashkëpunimin dypalësh për të adresuar çështje komplekse si emigracioni i paligjshëm dhe krimi i organizuar, fenomene transnacionale që kurrsesi nuk mund të identifikohen me etni të caktuara. Ndava me homologen time shqetësimin se është e patolerueshme që komuniteti shqiptar të veçohet dhe stereotipizohet vetëm nga disa personazhe të botës ilegale”, ka shkruar Çuçi në Facebook.

Ai ka thënë se shqiptarët janë një komunitet vital dhe i integruar në Britaninë e Madhe.

“Qasja jonë është se emigracioni i paligjshëm nuk mund të adresohet si problem pa përmirësuar kushtet e emigracionit përmes rrugëve legale. Në këtë pikë i kërkova homologes Braverman të rishikojnë edhe njëherë regjimin e trajtimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Britaninë e Madhe, për t’i lehtësuar në raport me mundësi të reja punësimi apo lëvizjet sezonale. I kërkova gjithashtu të amnistojë çdo shqiptar pa vizë, por që punon në mënyrë të ndershme dhe nuk ka rekorde kriminale në ngarkim”, ka thënë ai.

Shqipëria është bërë kryetemë në Britani muajve të fundit pas numrit të madh të qytetarëve shqiptarë që po emigrojnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.

https://www.koha.net/arberi/368777/bbc-shkruan-per-emigrantet-shqiptare-perse-po-shkojne-ne-britani/