Arbëri

Kurti takohet me Sladjana Pantiqin: Pjesëmarrja në zgjedhje i kontribuon zhvillimit të demokracisë

Descriptive Text

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të shtunën është takuar me kandidaten për kryetare të Komunës së Zveçanit, Sladjana Pantiq, duke shfrytëzuar rastin të thotë se pjesëmarrja në zgjedhje e jo bojkotimi i tyre kontribuon në zhvillimin e demokracisë, duke aluduar në Listën Serbe që ka vendosur të mos marrë pjesë në zgjedhjet në veri.

Sipas njoftimit, Kurti ka thënë se me zgjedhjet synohet që të adresohen edhe nevojat e komunitetit e që qytetarët mund ta tregojnë fuqinë e tyre brenda një shteti demokratik si Kosova.

“Zgjedhjet e lira dhe të drejta, e pluralizmi politik janë parakusht i demokracisë. Në zgjedhjet e prillit të këtij viti në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës, qytetarët kanë mundësinë të krijojnë zë të fuqishëm përmes përfaqësuesve të zgjedhur e të jenë pjesë e vendimmarrjes. Kështu qytetarët tregojnë fuqinë e tyre brenda një shteti demokratik si Kosova. Pjesëmarrja e jo bojkoti i kontribuon edhe zhvillimit të demokracisë edhe adresimit të nevojave të komunitetit”, thuhet në njoftim.

Lista Serbe ka thënë se vendimi i saj për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në veri të Kosovës është “si pasojë e dhunës së vazhdueshme institucionale të ushtruar ndaj popullit serb nga regjimi i Albin Kurtit, duke privuar serbët nga të gjitha të drejtat”.

Komunat veriore janë pa kryetarë që nga dorëheqja e serbëve në nëntor të vitit të shkuar, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për çështjen e targave ilegale.

Zgjedhjet për komunat veriore fillimisht ishte paraparë të mbaheshin në mes të dhjetorit. Atë kohë ato u shtynë për në 23 prill pas kërkesës së bashkësisë ndërkombëtare, në kohën e tensioneve.​

Dje, shtetet e QUINT-it shprehen keqardhje për mospjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje, por nuk kërkuan shtyrjen e tyre.