Arbëri

Mjeku i Urologjisë: MSH-ja po promovon projekte për të cilat s’ka dhënë asnjë kontribut

Mjeku në Klinikën e Urologjisë, Liridon Selmani, ka reaguar pasi që ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të enjten e vizitoi këtë Klinikë dhe Ministria e Shëndetësisë (MSH) në një komunikatë për media njoftoi për vizitën dhe e promovoi fillimin e shërbimeve laparoskopike aty.

Sipas Selmanit MSH-ja po promovon projekte për të cilat nuk ka dhënë asnjë kontribut

“Jam i lumtur që sot po shënohet fillimi i procedurave laparoskopike në Klinikën e Urologjisë plotësisht nga stafi vendor. Para 6 muajsh ideja për fillimin e laparoskopise në Klinikën e Urologjisë dukej iluzore dhe nuk gjente përkrahjen e menaxhmentit e as të ministrit të atëhershëm të Shëndetësisë”, ka shkruar Selmani në Facebook.

Ai ka thënë se për kryerjen e këtij shërbimi, bashkë me kolegun e tij Artan Elshani, kanë ndjekur një trajnim në Turqi dhe se atë e kanë vetëfinancuar.

“Duke dashtë që pacientëve kosovarë t’u ofrojmë shërbime moderne, në mënyrë që të njëjtit të mos kërkojnë zgjidhje jashtë vendit si dhe duke pas për qëllim që të fuqizojmë besimin në institucionet publike shëndetësore së bashku me kolegun dhe mikun tim Dr. Artan Elshanin morëm pjesë në trajnimin tre mujor në Firat University në Elazig të Turqisë. Gjithë qëndrimi ynë atje u mundësua nga ambicia dhe vetëfinancimi ynë, madje SHSKUK-ja me shumë vështirësi na kishte dhënë ‘pushim 3 mujor pa pagesë’ në mënyrë që të na ruhet vendi i punës kur të kthehemi”, ka shkruar Selmani.

Ai e ka akuzuar MSH-ën për mosmirënjohje.

“Më shumë gjasë postimi i MSH kishte qëllim që të promovojë punën e mirë që po bëhet në Klinikën e Urologjisë dhe me këtë reagim nuk po tentoj që të përvetësoj meritat – ky postim paraqet vetëm një reagim ndaj mosmirënjohjes”, ka shkruar ai.

Sipas Slemanit operimi i rasteve të para dhe fillimi i punës së laparoskopisë paraqet një hap të vogël drejt standarizimit të procedurave minimal invasive në Klinikë.

“Uroj që MSH-ja të sigurojë ende aparatura për fillimin e procedurave të Nefrolitotomisë Perkutane për të cilën po ashtu posedojmë certifikimin nga Klinika ku jemi trajnuar. Dhe për fund ministër quhet Laparoskopi e jo Laparaskopi”, ka shkruar Selmani.

Image