Arbëri

Tahiri: Qeveria dështoi në dy vjet qeverisje, nga marrëveshja e Ohrit përfiton Serbia

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhafer Tahiri, deklaroi se kryeministri Albin Kurti ka dështuar t’i mbajë premtimet gjatë dy vjetëve të qeverisjes. Ai tha se gjendja në Kosovë është e rëndë për shkak të keqqeverisjes, e kjo sipas tij, është dëshmuar me marrëveshjen e fundit mes Kosovës dhe Serbisë.

Tahiri u shpreh në “60 Minuta” të KTV-së të mërkurën se nëpërmjet dakordimit të arritur në Ohër, Kurti i ka dhënë mundësi të shumta Serbisë të ndërhyjë në Kosovë.

“Përfunduam me një marrëveshje që për herë të parë jemi pajtuar të mos e paragjykojmë statusin final. Dhamë asociacionin, vetëmenaxhimin dhe statusin special për kishat. Kjo ishte dhuratë e z.Kurti për Serbinë. Është dështim i Qeverisë për të marrë njohjen reciproke për shkak se asgjë më pak s’na duhet me Serbinë. Tash e kemi një status ku duhet të vazhdohet të dialogohet me Serbinë, e ne s’po marrim asgjë”, deklaroi Tahiri.

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se nëpërmjet marrëveshjes, Serbisë iu dha mundësia të hapë rrugën për integrim në BE, ndërsa Kosova sipas Tahirit, do të obligohet t’i zbatojë të gjitha pikat.

Për dy vjet qeverisje, Tahiri tha se s’janë arritur asnjë nga premtimet e dhëna.

“Për Kosovën, në dy vjet s’kemi parë ndryshim cilësor të KosovëS. Sot qytetarët pyesin a jemi më mirë sot apo para 2 vjetësh. A kemi shkolla më të mira, spitale, çerdhe, drejtësi në emërimet në bordet dhe a kemi shumë e shumë gjera të tjera që janë premtuat. Janë premtuar qindra çerdhe, janë filluar vetëm 2”, shtoi ai.

Tahiri bëri të ditur se për sistemin e drejtësisë, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur ta kalojë Ligjin për Byron vetëm nëpërmjet mbështetjes së LDK-së në Kuvend.

“Kosova ka nevojë për projekte të rëndësishme. Kemi parë zero investime për të gjeneruar kapacitete të reja të energjisë. Cili është projekti i energjisë, për shkolla, a kemi projekte që secili fëmijë të shkojë në çerdhe. Sot fëmijët shkojnë 3 orë në shkollë, e në Evropë 8 orë në shkollë. Është dashur të fillojë diçka që në 4 vite të kemi rezultat”, tha ai.

Qeveria Kurti, sipas Tahirit, i ka ndëshkuar komunat që nuk udhëhiqen nga LVV-ja nëpërmjet ndarjes së buxhetit.

“T’i ndëshkosh komunat është t’i ndëshkosh qytetarët direkt. Për shkak se i humbi zgjedhjet lokale Qeveria vendosi t’i ndëshkojë të gjitha komunat për shkak se s’i përkisnin partisë në pushtet. 52 për qind e buxhetit shkon në 3 komuna që udhëhiqen nga VV-ja”, deklaroi zyrtari i LDK-së.