Arbëri

Rexhaj: Vetëmenaxhimi si koncept është larg Asociacionit

Descriptive Text

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka thënë se termi vetëmenaxhim tregon qe si koncept është larg Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe larg vetëqeverisjes.

Kështu është deklaruar ai të martën në “Interaktiv” të KTV-së, ku ka shtuar se me dakordimin e arritur në Ohër më 18 mars midis Kosovës dhe Serbisë, ka një zhërbje nga Asociacioni në vetëmenaxhim.

“Kemi një zhbërje nga Asociacioni në vetëmenaxhim. Kjo i bie që nuk ka Asociacion sepse realisht LVV-ja në konsistencë e ka kundërshtuar këtë. Aty thotë nuk ka zotime të reja (i referohet dy marrëveshjeve të së kaluarës). Sot si koncept vetëmenaxhimi është koncept i përgjithshëm dhe në ditët e muajt e ardhshëm, do të qartësohet edhe nga vetë kryeministri Kurti. Besoj te z.Kurti me besimin më të madh që kam politik që ai në këtë vetëmenaxhimin që e kemi si koncept të përgjithshëm, nuk do të lejojë që Brenda saj të ketë kompetenca ekzekutive. Unë jam për ratifikim të kësaj marrëveshjeje nëse e njëjta gjë bëhet edhe në Kuvendin e Serbisë”, ka thënë ai.

Rexhaj ka shtuar se me anë të kësaj marrëveshjeje, Serbia nuk do të mund të lobojë në arenën ndërkombëtare kundër Kosovës, siç ka bërë deri më sot, për shkak se tashmë ka një garanci nga ndërmjetësit e kësaj marrëveshjeje.

“Serbia deri më sot në arenën ndërkombëtare radikalisht ka lobuar kundër Kosovës, madje në raste të caktuara në shtetet mosnjohëse edhe e ka prezantuar Kosovën fatkeqësisht, tash me këtë marrëveshje Serbia nuk guxon ta bëjë këtë sepse i kemi ndërmjetësit ndërkombëtarë dhe e kemi garancinë e SHBA-së. Serbia përherë edhe te shtetet që e kanë njohur Kosovën, është munduar ta tërheqë atë njohje, pra kemi një marrëveshje që e obligon Serbinë ta njohë Kosovën jo në mënyrë të drejtpërdrejtë”, ka thënë ai.

Ai më tej ka shtuar se në takimet e ardhshme që do të mbahen së shpejti, do të ketë dakordim për çështjen e ditëve apo muajve të zbatimit të një pike të caktuar, e gjithashtu do të kuptohet edhe afati kur do të ketë informacione nga institucionet e Serbisë rreth fatit të të pagjeturve.

“Tema e të pagjeturve nuk është temë e re, mirëpo si marrëveshje, dokument dhe si negociatë mendoj që është formë e aplikimit të drejtpërdrejt që e ka bërë kryeministri Kurti në dialog. Në këtë kuptim mendoj që pavarësisht që në të kaluarën ka pasur vullnet e tendenca nga pala kosovare, mirëpo është hera e parë që në formë të drejtpërdrejt e kemi të shkruar si pikë të veçantë çështjen e të pagjeturve. Tashmë do të krijohen ekipet që do ta zbatojnë këtë marrëveshje. Në takimet e ardhshme që do të mbahen së shpejti, do të kemi dakordim për çështjen e ditëve apo muajve të zbatimit të një pike të caktuar dhe mendoj që në fazën që vjen, realisht do ta kemi në përpikëri çështjen e afatit kur kemi informacion prej institucioneve të Serbisë rreth fatit të të pagjeturve e gjërave tjera”, ka shtuar ai.

Rexhaj ka thënë se Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja si garantuese të marrëveshjes duhet “t’ia ngrehin veshin” presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për deklaratat që dha se nuk do të zbatojë nenin 4 të marrëveshjes.

“Nuk duhet t’i ngrehet veshi vetëm palës kosovare. Kemi deklaratë të presidentit të Serbisë, Vuçiqi vetëm 3-4 ditë pas marrëveshjes që tregon se po e shkel drejtpërdrejt atë. A e bën për politikë apo çfarë nuk na intereson. Çështja është që ndërmjetësve ndërkombëtarë duhet t’u shkojë në vesh kjo”, tha Rexhaj në “Interaktiv”.

Deputeti i Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj, ka thënë se Marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është e mirë për faktin se “ndahet mexha me Serbinë në kuptimin direkt të fjalës”.

“Kosovës i hapet rruga për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Po ashtu s’do të kishim probleme në komunat me shumicë serbe”, ka thënë Rexhaj në Interaktiv.