Arbëri

Lajçak: Neni 7 nënkupton themelimin e Asociacionit

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se marrëveshja mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paraqet një pikë kthese në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes tyre.

Në një intervistë Lajçak nënvizoi se të dyja palët duhet t’i zbatojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Aty bën pjesë edhe Neni 4, i cili thotë se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Lajçak theksoi se Kosova e ka obligim që menjëherë të fillojë me zbatimin e pjesës së Marrëveshjes që lidhet me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ai pranoi se BE-ja kishte një plan më ambicioz: nënshkrimin e Marrëveshjes për normalizim dhe një draft-aneks me afate kohore dhe detyra të qarta.

Por, ai tha se udhëheqësit e dy vendeve nuk kanë mundur të bien dakord për secilën pikë dhe se presidenti serb ka refuzuar ta nënshkruajë dokumentin. Prandaj, propozimi ka ndryshuar.

Ai ka thënë se Neni 7 nuk përfshin zotime të reja për Kosovën.

Sipas tij, Neni 7 flet për nevojën e zbatimit të asaj për të cilën Kosova dhe Serbia veçse janë pajtuar.

“Kjo nënkupton marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015, që flasin që themelimin e një lloj asociacioni të komunave me shumicë serbe. Përndryshe, kjo do të nënkuptonte Nenin 10, që thotë se të gjitha marrëveshjet e mëparshme, plus Nenin 7, pra aranzhime shtesë, që nuk do të kishte logjikë”, ka thënë ai.

Sipas tij, Neni 7 nënkupton Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Lajçak paralajmëroi një takim të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë së shpejti, për të filluar, siç tha, punën për zbatimin e dispozitave të Marrëveshjes.

Radio Evropa e Lirë: Pas takimit të së shtunës, në Kosovë ka një debat të nxehtë. A mund të na thoni për ngjashmëritë apo dallimet mes vetëmenaxhimit të komunitetit serb dhe Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë?

Mirosllav Lajçak: Dua të jem i qartë, Neni 7 nuk përfshin zotime të reja për Kosovën. Neni 7 flet për nevojën e zbatimit të asaj për të cilën Kosova dhe Serbia veçse janë pajtuar. Kjo nënkupton marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015, që flasin që themelimin e një lloj asociacioni të komunave me shumicë serbe. Përndryshe, kjo do të nënkuptonte Nenin 10, që thotë se të gjitha marrëveshjet e mëparshme, plus Nenin 7, pra aranzhime shtesë, që nuk do të kishte logjikë.

Radio Evropa e Lirë: Pra, kjo nënkupton krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë...

Mirosllav Lajçak: Po.

Radio Evropa e Lirë: Me po të njëjtin emër, ashtu siç palët ishin marrë vesh në marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015?

Mirosllav Lajçak: Unë nuk insistoj tek emri. Unë insistoj në atë që iu shërben të dyja palëve. Por, kjo është shumë e rëndësishme që të gjitha marrëveshjet paraprake duhet të zbatohen plotësisht. Pra, ne nuk mund të zgjedhim marrëveshjen që na pëlqen; cilën ta zbatojmë e cilën ta injorojmë, sepse procesi serioz do të shndërrohej në tallje.

"Prova e marrëveshjes së Ohrit, në zbatimin e saj"

Mirosllav Lajçak: Dua të them se Marrëveshja e arritur në Ohër, të shtunën e kaluar, është një moment i rëndësishëm historik. Krijon një cilësi të re të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. E ngre dialogun në një nivel më të lartë dhe do t’i hapë rrugë normalizimit, ashtu si edhe përshpejtimit të procesit të anëtarësimit në BE, si për Serbinë, ashtu edhe për Kosovën.

Siç thotë fraza “prova e pudingut është në të ngrënit e tij”, ashtu edhe prova e marrëveshjes është në zbatimin e saj. Andaj, fokusi tani është në zbatim.

Nuk është sekret që ne, si lehtësues [të dialogut], kemi përgatitur fillimisht një aneks më të detajuar të zbatimit. Me një sekuencë hapash, me afate të qarta kohore, do të ishte më e lehtë të matej. Megjithatë, pas disa orësh negociata, palët kanë arritur të bien dakord për 12 nga 18 pikat. Ka qenë e pamundur të tejkalohen dallimet për gjashtë pikat e mbetura. Kemi provuar shumë, shumë mënyra për t’i kapërcyer ato dallime, por ka qenë e qartë se nuk do të funksionojnë.

Dhe, për këtë arsye, kemi paraqitur një aneks të ri, i cili është më i përgjithshëm dhe më pak konkret. Por, dispozitat kryesore janë aty, sidomos fakti që palët do t’i zbatojnë të gjitha dispozitat e Marrëveshjes dhe Aneksit, në mënyrë të plotë dhe në mirëbesim.

Po ashtu, e kemi përmendur edhe një pjesë tjetër shumë të rëndësishme - se kjo marrëveshje tani po bëhet pjesë e rrugës së anëtarësimit të Serbisë [në BE] përmes kapitullit 35, dhe për Kosovën përmes komisionit special të normalizimit. Kjo është ajo që do të bëjmë tani.

Si hap të ardhshëm, tashmë kemi nisur procedurat e brendshme në Bashkimin Evropian për ta zyrtarizuar këtë faktor - [pra], për ta bërë këtë pjesë të agjendës së BE-së për Serbinë dhe për Kosovën.

Si hap të ardhshëm në dialog, do t’i ftoj kryenegociatorët në Bruksel dhe do t’i diskutojmë hapat për zbatimin [e Marrëveshjes], për t’u siguruar se kemi një pajtim se si të vazhdojmë me zbatimin. Kjo është shumë e rëndësishme.

Çështja që është diskutuar shumë në diskursin publik, ka qenë çështja e nënshkrimit të Marrëveshjes. Këtu dua të them se preferenca jonë, si lehtësues të BE-së, ka qenë që dokumenti të nënshkruhet. Ky ka qenë propozimi ynë për palët. Presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq e ka bërë mjaft të qartë se nuk është në pozicion për ta nënshkruar këtë dokument. Ai ka përmendur kufizimet kushtetuese. Ne kemi bërë përsëri disa propozime se si të trajtohet çështja, por ato janë refuzuar.

Në fund, kemi rënë dakord që ky dokument të formalizohet përmes njoftimit të Përfaqësuesit të Lartë [Josep Borrell] - gjë që ka ndodhur të shtunën. Kjo është plotësisht në përputhje me praktikën juridike ndërkombëtare. Pra, kjo do të thotë se ky dokument është i detyrueshëm, është zyrtar, është formal. Çdo spekulim se është apo jo i vlefshëm dhe i detyrueshëm, është i pakuptimtë.

Dua të shtoj, po ashtu, edhe një vëzhgim tjetër. Kur i shikojmë marrëveshjet e kaluara, nuk i gjykojmë nga këndvështrimi se cilat janë nënshkruar dhe cilat jo. Por, gjithmonë shikojmë se cilat janë zbatuar dhe cilat jo. Prandaj, vërtet besoj se nuk duhet të përfshihemi në diskutimet për nënshkrimin. Ky është realiteti.

Dokumenti është i detyrueshëm në dy mënyra. E para - përmes njoftimit të Përfaqësuesit të Lartë, dhe e dyta - duke e bërë pjesë të procesit të anëtarësimit në BE, ose të agjendës së BE-së për Serbinë dhe për Kosovën. Tani fokusi është te zbatimi.

Dhe, përfundimisht, ne, si lehtësues, do t’u raportojmë rregullisht shteteve anëtare - në baza mujore - për përparimin. Natyrisht, do të vazhdojmë të punojmë shumë ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe jemi shumë mirënjohës që kanë qenë shumë, shumë besnike ndaj nesh dhe i kanë mbështetur përpjekjet tona para Ohrit, në Ohër, dhe do të vazhdojnë pas Ohrit.

Dhe, sigurisht, vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë shumë të interesuara që kjo Marrëveshje dhe ky Aneks të bëhen realitet. /REL