Arbëri

Institucioneve u kërkohet shtim i përpjekjeve për siguri afatgjatë të resurseve ujore

Rritje e përpjekjeve nga institucionet e vendit për siguri afatgjatë të resurseve ujore, është kërkuar në një konferencë, të hënën, ku u prezantua Monitorimi i Implementimit të Strategjisë së Ujërave për Kosovën. U publikua edhe një raport, ku sipas hulumtuesve disponueshmëria e ujit deri më 2050 do të bjerë për 20 për qind

Për të siguruar menaxhim efektiv të resurseve ujore dhe siguri afatgjatë për popullatën, institucionet e Kosovës duhet të rrisin përpjekjet dhe investimet, thuhet në raportin “Ujërat e trazuara: Menaxhimi i territorit rreth resurseve ujore në Kosovë”.

Në konferencën e parë të mbajtur të hënën për prezantimin e Monitorimit të Implementimit të Strategjisë së Ujërave për Kosovën 2017-2036 nga organizata “Let’s Do It Peja”, është thënë se bazuar në ndryshimet klimatike, parashihet ulje e disponueshmërisë së ujit me 20 për qind deri më 2050.

Hulumtuesi Kushtrim Sopi tha se duhet të krijohen diga të reja në mënyrë që të plotësohen nevojat aktuale dhe të ardhshme të qytetarëve për ujë.

“Një prej arritjeve që ndoshta do të duhej të veçohej në të gjithë sektorin është përmirësimi i infrastrukturës për trajtimin e ujërave të ndotura apo ndërtimi i impianteve për trajtimin e kanalizimeve, që ka qenë një proces shumë voluminoz, shumë i shtrenjtë”, theksoi Sopi.

E hulumtuesi Afrim Lajçi tha se resurset e pakta ujore të vendit dhe ndryshimet klimatike kanë efekte negative në to. Ai doli edhe me rekomandime për mbrojtjen e ujërave nga ndotja. Po ashtu, kërkoi se si çështje me prioritet duhet të trajtohet edhe strategjia për menaxhimin e llumit të kanalizimit.

“Këto impiante të cilat po ndërtohen prodhojnë llum, mbetja nga këto impiante është llumi, dhe ky llum duhet me ditë ne në Kosovë çka me ba me të. Me djeg a me përdor në bujqësi a me deponu në deponi, do të thotë duhet me pasë një strategji çka me ba me këtë sasi të llumit”, deklaroi Lajçi.

Në konferencë u tha se disa institucione përkatëse nuk kanë ofruar informacionet e kërkuara për pyetësorin.

Ky raport është pjesë e projektit “Promovimi i qasjes në ujë të pastër”, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe zbatuar nga “Let’s Do It Peja”.

Hulumtimi është realizuar nga gushti deri në dhjetor të vitit të kaluar, ndërkohë do të pasojnë edhe 4 hulumtime të tjera.